Home OPIONIONE Pse duhet reformuar teologjia islame?

Pse duhet reformuar teologjia islame?

840
0
SHARE

Nga-Abdulla Rexhepi

Ngjarjet e fundit terroriste në Paris kanë ngjallur debate të ndryshme rreth sfidave të reja që po prishin rendin dhe qetësinë e qytetarëve të botës. Jam i mendimit se ashtu si në botën perëndimore, debate të tilla duhet të zhvillohen edhe në shoqërinë tonë. Nëse do të më lejohej të gjykoja rreth krizës aktuale Islam-Perëndim, fajin do ta ndaja për gjysmë, një pjesë në Perëndim e një pjesë tjetër në Lindje. S’do mend se gjysmën e fajit për gjendjen aktuale të myslimanëve e kanë perëndimorët (lexo: politika perëndimore), duke filluar nga kryqëzatat, kolonializmi, mbështetja e pushteteve diktatoriale në botën e Orientit, krijimi i Al Kaidës për luftimin e Rusisë komuniste, luftërat e fundit në Afganistan e Irak, mostrajtimi i myslimanëve (jo evropianëve) si qytetarë të dorës së parë, e deri te shumë probleme tjera që i dimë të gjithë. Por këtu duhet theksuar se të gjitha këto të këqija duhet të luftohen me mjete paqësore dhe jo të shndërrohen në justifikime për akte të dhunshme, e aq më pak këto akte të kryhen në emër të fesë islame. Evropa ka probleme të shumta që duhet t’i evitojë dhe dua të besoj se ka intelektualë e shkencëtarë të respektueshëm që u dëgjohet zëri, të cilët do të kërkojnë me këmbëngulje ndryshime për të mirë. Atje tashmë ka filluar të debatohet për lirinë e shprehjes, kufijtë e saj, e shumë gjëra që kanë të bëjnë me te. Dhe dëshirë e imja do të ishte që debate të njëjta të shtrohen edhe në mesin e myslimanëve, të cilët duke ruajtur nivelin intelektual e kritik, t’i sfidojnë problemet me të cilët ballafaqohen!
Ndërsa gjysmën tjetër të fajit për këtë krizë aktuale e bartin myslimanët. Për mua mysliman është çdo person që thotë: ‘unë jam mysliman’. Ndërsa në shkrim me myslimanët targetoj ata të cilët konsiderojnë se vlerat e tyre po atakohen nga Perëndimi. Dhe nëse ata duan zgjidhjen e kësaj krize, në radhë të parë duhet ta pranojnë pjesën e tyre të fajit. Shkrimi im modest do të fokusohet vetëm në këtë pjesë të debatit, pra i drejtohet vetëm myslimanëve.
Dëgjojmë shpesh të thuhet se myslimani nuk mund të jetë terrorist, vrasës, kriminel, etj., në vend se të thuhet myslimani nuk do të duhej të ishte terrorist, vrasës, kriminel, etj.. Por ata që janë marrë me studime islame dhe objektivisht njohin historinë islame, e dinë se vendet islame nuk qenë gjithmonë kopshte me trëndafila. Historia ka shënuar se në këto vende gjakderdhja ka qenë jo e rrallë, madje në të shumtën e rasteve, e justifikuar edhe nga kadijtë dhe ulematë myslimanë. Pa u zhytur shumë në labirintet e së kaluarës, sot pushtetet diktatoriale në vendet islame kanë mbështetje të fuqishme nga institucionet dhe figurat më të mëdha fetare në këto vende. Sado që dikush s’mund ta pranojë se këta juristë, klerikë oborrtarë apo këto institucione fetare veprimet e tyre i mbështesin në fenë islame, por në realitet, ata, gjithë diskurset dhe referencat i justifikojnë në ajete, hadithe, në dijetarët parardhës të tyre, etj. Në anën tjetër, opozitarët, kritikët dhe të rebeluarit njëjtë bazohen në po të njëjta burime të fesë islame. Pra këtu, siç po shohim, kemi të bëjmë me lexime dhe interpretime të ndryshme të Islamit. Në këtë mes, krahas interpretimeve konformiste – zyrtare dhe atyre opozitare – këto të fundit zakonisht janë më humane, reformuese dhe emancipuese – gjithnjë ka ekzistuar edhe një interpretim që ka frymëzuar myslimanët të ndërmarrin akte të dhunshme. Interpretime të tilla kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë islame, edhe pse kanë qenë të vogla e periferike, por kanë shkaktuar dëme të mëdha për myslimanët. Mund të përmendim Havarixhët, ismailitët e Hasan Sabahut (Hashshashinët/Assassins), luftërat ndërmjet sekteve sunite, përleshjet e përgjakshme midis sekteve sufite, shpërthimet nëpër xhamitë sunite e shi’ite në Irak, Pakistan, Afganistan, etj.. Të gjitha këto u kryen e vazhdojnë të kryhen nga myslimanët, madje në emër të Islamit të pastër. Për fat të keq, interpretime të tilla radikale, me retorikën e tyre gjoja për praktikimin e Islamit të pastër e origjinal, në periudha të ndryshme kohore, por edhe sot, kanë ndikuar edhe te interpretimet racionale të Islamit. Duke u sulmuar si të devijuara dhe që kanë braktisur fenë origjinale, këto të fundit shpeshherë detyrohen të marrin qëndrime joracionale. Interpretimet radikale, fanatike dhe regresive të Islamit duke shfrytëzuar rrëfimet si ‘suneti i Pejgamberit’, ‘kthim në traditën e të parëve’, ‘islami origjinal/i pastër’ kanë penguar evoluimin e teologjisë islame, dhe si pasoj edhe zhvillimin e myslimanëve. Fatkeqësia më e madhe është se sot çdo intelektual që kërkon reformimin e Islamit ose një qasje më kritike dhe heremenuetike ndaj Kur’anit dhe Hadithit, ai ose detyrohet ta lëshojë atë vend ose ndjen rrezik për jetë. Qasje dhe interpretime të tilla për fat të keq mund t’i gjesh në secilin vend mysliman, diku më shumë e diku më pak. Mjafton sot të dëgjohen ligjëratat nëpër xhamitë e botës islame, të lexohen shkrimet e teologëve myslimanë, si dhe paraqitjet e tyre nëpër rrjetet sociale dhe të rezultosh se si ofendojnë bindjet dhe besimet e njëri tjetrit. Fyerjet e tyre ndaj shenjtërive të myslimanëve të grupit tjetër dhe thirrjet për linçime janë shumë më të pamoralshme se karikaturat e Charlie Hebdo’s.
Për të parandaluar apo për t’i ekuilibruar interpretimet e tilla mendoj se së pari duhet të reformojmë leximet dhe interpretimet tona fetare islame. E di që një temë e tillë kërkon trajtim shumë më të thukët, andaj në këtë shkrim do të mundohem t’i prekë vetëm disa probleme që besoj se duhen rimenduar edhe njëherë nën frymën bashkëkohore ontologjike dhe epistemologjike. Kështu dhe, njëherë duhet të përcaktojmë se çfarë në të vërtetë kuptohet me Islam? Sipas Mustafa Melikian, kemi tre Islame. Islami Një është Kur’ani dhe Hadithi. Në Islamin numër Dy futen të gjitha interpretimet, komentimet, kritikat dhe leximet që dijetarët i bëjnë Islamit Një. Kurse në Islamin Tre futet përmbledhja e veprave të myslimanëve gjatë historisë duke ia shtuar kësaj edhe rezultatet dhe pasojat e këtyre veprave. Për atë dhe, mendoj se kur bëhet fjalë për fenë islame, duhet pasur parasysh se për cilin Islam jemi duke folur. Dikush mund të jetë i prirë të mendojë se përveç Islamit Një, dy të tjerët nuk duhen llogaritur si Islame, por një gjë e tillë është e pamundur, sepse që të tre nuk mund të ekzistojnë pa njëri tjetrin.
Bazuar në këtë ndarje të Melikian, ne duhet të reformojmë Islamin Dy, dhe si rezultat do reformohej edhe Islami Tre. Ndërsa Islami Një nuk mund të reformohet, ngase është vet teksti dhe si i tillë kërkon gjithnjë interpretime e ri-interpretime. Për tu bindur se duhen reforma themelore në teologjinë islame, duhet t’i kemi parasysh pikat e mëposhtme (të cilave mund t’i shtohen edhe shumë tjera).
a. Para së gjithash, duhet ta dimë se asgjë tjetër në Islam nuk është e shenjtë dhe hyjnore përveç Shpalljes (Kur’anit). Prandaj dhe çdo lexim dhe interpretim i Islamit Një, është relativ, i takon një kohe dhe vendi të caktuar, pra është konstruktuar nën rrethana të caktuara kohore, ekonomike, politike dhe ideologjike. Si i tillë, ai duhet të reformohet, evoluojë dhe ndryshohet. Ashtu siç kanë pasur të drejtë të interpretojnë Islamin dijetarët e para 10 shekujve, njëjtë kanë të drejt ta interpretojnë atë edhe dijetarët dhe intelektualët e sotëm, gjithnjë sipas rrethanave dhe nevojave kohore dhe vendore.
b. Kjo teologji dhe dije që kemi ne sot për Islamin (Islamin Një) është e kodifikuar dhe e balsamosur në periudhën e fillimet e hilafetit Abasit dhe duke pasur parasysh ndërhyrjen e ideologjisë dominonte të pushtetit – diçka normale për secilën periudhë historike – atëherë mund të konkludohet se teologjia jonë e deritanishme është e konstruktuar në shekujt 9-10, në kohëra dhe rrethana krejt ndryshe nga e sotmja. Dhe që nga ajo kohë vetëm sa është imituar dhe nuk ka pasur evoluim esencial. Rreth këtij fenomeni më gjerësisht mund të lexohet libri i Muhamed Abed Xhabri (Jabri) “al-Nakd fikr al-‘Arabi’, titulli anglisht ‘The Critique of Arab Reason’. Prandaj dhe Abdulkerim Soroush shkruan: “Botëkuptimi i njeriut klasik, pikëpamjet e tij për natyrën, njeriun, Zotin, historinë, gjuhën, shoqërinë, lumturinë, sinqeritetin, arsyen, diturinë e kështu me radhë, reflektoheshin në të kuptuarit e tij për fenë. Njëjtë ndodhë edhe me njeriun modern, pra botëkuptimet e tij moderne mbi fenomenet e lartpërmendura gjithashtu ndikojnë në të kuptuarit e tij për fenë. Kështu dhe vijmë në përfundim se të kuptuarit e fesë nga njeriu klasik dhe modern është i ndryshëm dhe kjo është arsyeja se pse duhet të ndryshojë dhe reformohet interpretimi i fesë në kohën aktuale”.
c. Feja islame ka esencialet dhe aksidentalet (formalet) e veta (A. Soroush). Esencialet e fesë janë të pandryshueshme dhe të përjetshme, dhe ato janë: Njeriu nuk është Zot, por krijesë e Tij (besimi-imani); Lumturia në botën tjetër është qëllimi parësor i jetës së njeriut dhe qëllimi kryesor i moralit fetar (morali); dhe, ruajtja e arsyes, gjeneratave, dinjitetit, pasurisë dhe jetës së njeriut janë qëllimet themelore të ligjit (legjislacioni- fikhu). Ndërsa, gjuha (psh. gj. Arabe), konceptet/shkollat/doktrinat, dituria/shkenca/mendimi janë vetëm mekanizma që shërbejnë për realizimin e esencialeve të fesë, prandaj dhe janë aksidentale dhe evoluojnë, ripërtrihen, reformohen, pra ecin me kohën. Të mos harrojmë se qëllimi kryesor i fesë është vendosja e rëndit dhe sigurisë në tokë, ndërsa Pejgamberi Muhamed thoshte se qe dërguar për ta përsosur moralin.
ç. Kemi nevojë urgjente për një teologji (kelam) të re, të bazuar në një filozofi të re islame e cila, përpos të drejtave universale të njeriut, do t’i merrte në konsideratë edhe rezultatet shkencore dhe filozofike bashkëkohore. Rezultatet shkencore e filozofike kanë një ndikim tepër të madh në perceptimet dhe konceptimet tona fetare. Andaj dhe vetëm një teologji e re në koordinim me shkencat dhe dijet tjera, do të ndihmonte në emancipimin dhe avancimin e interpretimeve të fesë islame. Të mos harrojmë se sot jemi duke jetuar në shtete – kombe dhe konceptet si ummeti (bashkësia islame), xhihadi (lufta) e shumë kompetenca të tilla politike janë në duart e organeve shtetërore. Për atë dhe hoxhallarët apo dijetarët myslimanë veten nuk mund ta shohin në pozitën të cilën ishte Profeti (ngase ai ishte edhe dijetar, hoxhë, prijës politik dhe ishte vendimmarrës për çdo gjë). Si pasoj e mungesës së një teologjie të re, sot shohim ngatërresa të shumta midis legjislacionit fetar dhe atij shtetëror. Teologjia e re gjithashtu do duhej të kishte një antropologji, kosmologji dhe spekulim metafizik bashkëkohor dhe në këtë mënyrë, pyetjeve dhe sfidave të reja t’i ofrojë përgjigje shkencore dhe filozofike që do t’i pranonte mendja e shek. 21.
d. Në fund, ajo që do të ndihmonte emancipimin dhe avancimin e Islamit Dy, është krijimi i një ambienti të lirë për kritikë. Në shoqërinë myslimane nuk duhet të përcaktohet asnjë vijë e kuqe për kritikët, dhe të thuhet se deri këtu lejohet kritika, por jo dhe më tutje. Përkundrazi kritikëve duhet t’i krijohet hapësirë që në mënyrë të hapur të shprehin mendimet e tyre kritike dhe kështu zhvillohen debate konstruktive intelektuale. Besimtari medoemos duhet të përballet me kritikën e besimit të tij dhe atëherë mund të bindet nëse besimi i tij është i drejt apo i gabuar. Sepse, besimi nuk dallon nga mendimi, dhe si i tillë, gjithnjë duhet të ripërtrihet dhe të ruajë fluiditetin dhe freskinë e tij. Jam thellësisht i bindur se nëse shoqëria jonë arrin të krijojë një ambient, ku hapur dhe shtruar do të kritikoheshin mendimi dhe besimi, do të kishim pasur një shoqëri shumë më të moralshme dhe të arsyeshme.
Nuk e di nëse janë shqiptarët ata që mund të hedhin hapa drejt reformimit të teologjisë islame, ngase si gjithmonë, ata si teologjinë (përjashtoj këtu teologjinë islame të Shqipërisë nga 1912 deri te vendosja e sistemit komunist) ashtu dhe modernizmin e kanë të importuar nga jashtë. Ne për fat të keq, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi vetëm konsumues të doktrinave të gatuara nga mendje dhe mendësi joautoktone për nevojat e shoqërisë së tyre. Për atë dhe në qoftë se i rishikojmë dhe rimendojmë postulatet e lartshënuara dhe shumë të tjera si këto, besoj që do të mund të krijohej një atmosferë më paqësore njëherë mes veti, pastaj edhe me të tjerët.

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-Lugina Press