Mesfushori i Bayernit të Mynihut, Tony Kroos insistoi se ai nuk ka asnjë problem me trajnerin Pep Guardiola, pas zërave që dolën në pah pas zëvendësimit të tij në barazimin 1-1 të kësaj jave në çerekfinalen e Champions League përballë Manchester United. Kroos u duk i irrituar pasi bëri vend për Mario Gotze në fushën e blertë kur mbeteshin edhe 20 minuta nga fundi i lojës dhe u pa të fliste me Guardiolën menjëherë pas zëvendësimit, duke i hapur rrugë spekulimeve se kishte mbetur i pakënaqur me vendimin e trajnerit të tij për ta zëvendësuar. Gjithsesi tani futbollisti i kombëtares gjermane e bëri të qartë si ai nuk e pati aspak problem zëvendësimin që erdhi për zgjedhje taktike.
“Ne vetëm sa diskutuam për disa gjëra taktike. Për këtë arsye erdhi dhe vendimi i trajnerit për të më zëvendësuar”- deklaroi Kroos për mediat gjermane duke shtuar – “Nuk e kam problem kur më nxjerrin nga fusha pas 70 minutave lojë. Plani ishte që të futej Mario Gotze në mënyrë që të luanim më shumë në sulm për 20 minutat e mbetura. Ky nuk është një problem për mua. Trajneri më tha se bëra mirë në fushë, gjithçka ishte në rregull edhe pse askujt nuk i pëlqen të zëvendësohet”.
Kroos më herët kapi faqet e para të gazetave pasi reagoi me nervozizëm ndaj vendimit të Guardiolës për ta zëvendësuar atë në ndeshjen me Stuttgartin në Janar.






