Pak ditë më parë shtëpia në flakë, më pas operacioni në gju dhe tani infeksioni. Jese Rodriguez nuk po gjen paqe. Sulmuesi i Real Madrid që pak ditë më parë doli nga spitali ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për riparimin e ligamenteve, detyrohet të rikthehet sërish për shkak të një infeksioni në plagë. Sipas mediave spanjolle, ky rikthim në spital e komplikon situatën e sulmuesit të ri.
Jese u operua në datën 20 Mars në ligamentet e gjurit pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e 1/8-ave kundër Schalkes. Ndërhyrja u drejtua nga mjeku gjerman Ulrich Boenisch në një klinikë në Augsburg dhe sipas informacioneve të para, periudha e rikuperimit do të zgjaste deri në 6 muaj. Gjithsesi, me infeksionin që e ka prekur ditët e fundit, koha e rikuperimit më të zgjatet edhe më shumë pasi nuk përjashtohet një tjetër operacion për të mjekuar pjesën e infektuar. Jese është një nga të rinjtë që ka gjetur mbështetjen më të madhe të trajnerit Carlo Ancelotti pasi këtë sezon ai numëron 18 takime dhe 5 gola me fanellën “Los Blancos”.






