Pjesëmarrja e Zdravko Colicit në festivalin “Kënga ime” e ka irrituar edhe këngëtarin tjetër nga Kosova, Visar Peja, i cili ka vendosur të që të mos jetë pjesë e këtij spektakli.
Ai ka thënë se me ftesën që iu bë këngëtarit serb, organizatorët e festivalit në fjalë treguan se nuk kanë lidhje me përjetimet e popullit të Kosovës.
“Sigurisht që nuk do të jem pjesë e këtij festivali. Atë çfarë bënë definitivisht treguan që nuk kanë lidhje me përjetimet tona. Kur në Rashkë të Serbisë akoma po nxirren eshtrat e shqiptarëve, ata ftojnë një këngëtar serb të jetë pjesë e këtij festivali. Po le të ju mbetet në përgjegjësi dhe fytyrë të tyre”, ka deklaruar Visari për KultPlus.
Më tej, këngëtari ka theksuar se nuk e ka të qartë pse do të duhej të ftohej një këngëtar serb në një festival ku prezantohen vlerat e muzikës shqiptare.
Ngjashëm sikur Visar Peja, më herët nga ky festival u tërhoq edhe Hysni Kinaku.






