Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit. Lidhur me rastin e kësaj dite edhe në vendin tonë, Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim në mënyrë vullnetare, kanë organizuar një aktivitet me moton “Sjell një libër që ke lexuar dhe merr një që të pëlqen”.
Ky aktivitet do të fillojë nga ora 10:00 deri në orën 15:00 dhe do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. Ndërsa, 23 prilli është shpallur si Ditë Botërore e Librit që nga 15 nëntori i vitit 1995.
Dita botërore e librit dhe të drejtës autoriale këtë vit shënohet edhe në Kosovë në bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin kulturën.
Kjo ditë është një mundësi për të nisur një fushatë të gjerë dhe të qëndrueshme për ngritjen e vetëdijes, duke synuar të mbështesë veprimin e akterëve lokalë dhe institucioneve në favor të librit dhe të leximit. Ajo bazohet në një qasje pjesëmarrëse dhe në partneritet me profesionistë, akterët politikë dhe përfituesit që nënkuptohet në nivel kombëtar dhe rajonal.
Ndërsa edhe disa prej institucioneve në Kosovë do të bëhen sot, pjesë e aktiviteteve promovuese për të shënuar në media këtë datë të rëndësishme për librin dhe të drejtën autoriale dhe për të tërhequr vëmendjen në rëndësinë e kësaj date. /Lugina Press/






