Do të humbasë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit por po punon fort që të mos mungojë në përballjen e dyfishtë kundër Bayern Muenchen. Cristiano Ronaldo është mungesa me më shumë peshë në El Clasicon e Kupës por luzitani ka rritur ritmin e stërvitjes për të qenë i gatshëm në gjysmëfinalen e Champions League në 22 Prill kundër kampionëve të Europës. Fituesi i topit të artë po punon nga 5 orë në ditë me ritmin e kombinuar mes palestrës dhe pishinës për të mos ndier më dhimbje në bicepsin femoral të këmbës së djathtë.
Pas udhëtimit në Porto ku u konsultua me doktorin Noronha, Cristiano po ndjek programin me fizioterapistin Joaquin Juan, i cili po ndjek edhe programin e rikuperimit të Radamel Falcaos. Në kampin madrilen nuk janë shumë optimistë për rikuperimin në kohë të portugfezit, por vetë lojtari mendon ndryshe. Ai beson se do të jetë i pranishëm në “Santiago Bernabeu” për të ndihmuar skuadrën e tij në aktin e parë të gjysmëfinales. Një dëmtim i ngjashëm e ka penguar Cristiano Ronaldon edhe gjatë sezonit 2010-2011 por brenda 13 ditëve ai u rikthye nën urdhrat e trajnerit.






