Home Aktuale Rama, fjalë të mëdha për De Biasin dhe Lorik Canën

Rama, fjalë të mëdha për De Biasin dhe Lorik Canën

647
0
SHARE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për rrugëtimin e Kombëtares Shqiptare drejt Kampionatit Evropian, duke thënë se nuk ka skuadër të suksesshme pa një trajner të suksesshëm. Ai madje e ka quajtur De Biasin lider, ndërsa Lorik Canën talent e vullnet-bashkë.

I pyetur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në kampionat Evropian, Rama ka thënë se për një vend të vogël dhe të panjohur botërisht, kur arrin të ketë sukses në një sport, kjo sjellë një energji shumë të madhe pozitive dhe është një provë e sigurt e faktit se çfarë mund të bëjmë, kur bëjmë skuadër dhe kur arrijmë objektiva shumë ambicioze.

Pjesëmarrjen e Shqipërisë në kampionatin evropian, Rama e ka cilësuar si një stimul të jashtëzakonshëm për fëmijët që synojnë t’u ngjasojnë heronjve evropianë, raporton OraNews.

“Unë besoj që nuk ka një skuadër të suksesshme pa një trajner të suksesshëm dhe nuk ka një ekip me trajnerin dhe lojtarët bashkë që mund të shkojnë kaq larg pa një klub apo federatë në rastin konkret, e cila ka bërë si duhet punën e saj. Është e pamundur t’i ndash”, ka thënë Rama.

Lidhur me ndeshjet me Serbinë dhe Armeninë, Rama ka thënë se ajo çka do të mbajë mend është gjendja e vështirë psikologjike, sidomos pas rezultatit me Serbinë dhe përpjekjet e kombëtares për të fituar ndeshjen me Armeninë.

“Kush nuk e ka veshur bluzën e kombëtares nuk e kupton faktin se çfarë emocionesh shkakton ajo fanellë, dhe çfarë ndjeshmërie ke kur e sheh atë bluzë, në çfarëdolloj sporti”, ka deklaruar Rama.

Rama në këtë intervistë ndër të tjerash ka folur edhe për sportin në përgjithësi, për Federatën Shqiptare të Futbollit, për stadiumin e ri, si dhe për buxhetin e ulët të sportit.