Home Aktuale Haradinaj nuk e tradhtoi opozitën që mori pjesë në takim me Jahjagën

Haradinaj nuk e tradhtoi opozitën që mori pjesë në takim me Jahjagën

806
0
SHARE

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, edhe sot tentoi që të gjej një zgjidhje për dalje nga kriza politike, në të cilën është futur vendi tash e disa muaj, duke ftuar për dialog liderët e partive politike të shtetit.

Opozita e bashkuar, e cila vazhdimisht po kërkon që qeveria aktuale të jap dorëheqje dhe të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, duket se nuk do të pranoj asnjë mënyrë tjetër për të dal nga kjo situatë, raporton Indeksonline.

Ndonëse ftesë për pjesëmarrje në takim presidentja u kishte dërguar kryetarëve të secilës parti, atë e pranuan vetëm kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ai i LDK-së, Isa Mustafa, udhëheqësi i Listës Srpska, Sllavko Simiq, përfaqësuesi i 6+, Mahir Jagxhillar dhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, pjesëmarrja e të cilit u komentua shumë nga të tjerët.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Indeksonline se pjesëmarrja e Ramush Haradinajt në takim nuk duhet konsideruar si tradhti ndaj opozitës.

Sipas tij, Haradinaj ishte mjaft i qartë në kërkesat e veta dhe nuk kërkoi gjë tjetër, veç atyre që kërkon edhe pjesa tjetër e opozitës.

“Kërkesa për zgjedhje tashmë nuk është kërkesë vetëm e opozitës, por edhe e një pjese të madhe të shoqërisë civile, andaj Haradinaj vetëm bëri të qartë edhe njëherë se zgjedhjet janë zgjidhje për të dalë nga kriza. Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma pjesëmarrjen e Haradinajt në takim duhet ta konsiderojnë pozitive, në kuptimin e shfrytëzimit edhe të një mundësie për t’i adresuar kërkesat e tyre”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar se nëse Haradinaj dhe AAK në çfarëdo forme pranojnë të përfshihen në qeverisje, si mënyrë për dalje nga kriza, atëherë kjo do të ishte vetëvrasje politike për të dhe partinë që drejton.

Se takimi i Jahjagës me liderët nuk po ka efekt, e thotë edhe analisti Albinot Maloku, i cili ka thënë për Indeksonline se Zyra e Presidencës dhe shefja e saj, Atifete Jahjaga disa herë ka provuar, e edhe i ka takuar edhe më përpara, por sikur nuk po arrin asgjë me këto takime.

Sipas tij, janë vetëm disa prononcime për medie dhe Zyra e Presidencës nuk do të lëvize asgjë me fuqinë e saj aktuale.

“Afërsia dhe bashkimi i subjekteve aktuale në të gjitha nivelet, pra pozitë dhe opozitë nuk është as për së afërmi i natyrshëm dhe kjo shikuar nga të gjitha perspektivat. Në këtë kontekst, shkuarja e kreut të AAK, Ramush Haradinaj është dëshmi e një bashkimi më shumë interesash me Vetëvendosjen dhe NISMA-në se sa bashkim i parimeve dhe synimeve të përbashkëta”, ka thënë Maloku.

Ai ka shtuar se AAK ka filluar ti kuptoj edhe gabimet e bëra shumë kohë më përpara e që nuk do të fitoj diçka nga ky tentim i përmirësimit të gabimeve.

“Nga subjektet politike të opozitës vetëm Lëvizja ‘Vetëvendosje’ duket se do të vazhdojë pa kompromis rrugëtimin e saj. AAK dhe NISMA e kanë shijuar pushtetin dhe këtë edhe e duan. Veç kësaj subjektet politike opozitare janë bashkuar nga impenjimi i pozitës së tyre, ndryshe asgjë të përbashkët nuk kanë. Kurse, nëse AAK i rikthehet pozitës së saj brenda bllokut opozitar aktual dhe nuk i ngjitet koalicionit aktual të Qeverisë së vendit siç përflitet, shkuarja e tij mund të lë përshtypjen e të deleguarit, pasi kërkesat e tij për shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje janë edhe kërkesa të opozitës për tejkalimin e krizës politike në vend”, ka theksuar Maloku.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme ngelen të patejkaluara për dalje nga kjo krizë politike, ashtu siç edhe po kërkon opozita. /Indeksonline/