Home Aktuale Maqedoni, sot greva e përgjithshme në arsim, disa shkolla kundër

Maqedoni, sot greva e përgjithshme në arsim, disa shkolla kundër

798
0
SHARE

Në Maqedoni sot do të zhvillohet grevë e përgjithshme në arsim, e thirrur nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK). Në Maqedoni sot do të zhvillohet grevë e përgjithshme në arsim, e thirrur nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Një pjesë e madhe e shkollave dhe komunave janë kundër këtij vendimi të sindikatës dhe se ato kanë paralajmëruar se do të vazhdoj procesi i rregullt mësimor dhe nuk përkrahet greva e thirrur.

Por, disa komuna që udhëhiqen nga opozita kanë paralajmëruar se do të respektojnë vendimin e SASHK për grevën. Siç mëson INA, shkollat e komunave si Kumanova, Struga, Strumica, Studeniçani, komuna Qendër do t’i bashkëngjiten grevës.

Kryetari i SASHK, Jakim Nedelkov ka theksuar se po ushtrohet presion i madh ndaj mësimdhënësve dhe shkollave për të mos hyrë në grevë, por sipas tij, një numër i madh i shkollave do të mbështesin grevën. “Ne do të hyjmë në grevë të përgjithshme përkundër presioneve dhe shantazheve të ndryshme. Në shtator të vitit të kaluar prolonguam grevën për t`i dhënë një shans negociatave me Qeverinë, por ato nuk patën rezultate. Andaj tani jemi të vendosur për grevë”, deklaroi kryetari i Sindikatës, Jakim Nedelkov.

SASHK kërkon rritjen e rrogave për mësimdhënësit për 25 për qind, heqjen e dënimeve për mësimdhënësit dhe zhvillimin e një dialogu social. Greva do të zhvillohet ashtu që të punësuarit do të shkojnë në punë, por nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre.

Disa anëtarë të Sindikatës kanë akuzuar kryetarin aktual Jakim Nedelkov se ai ka thirrur grevën për interesa personale për të fituar edhe një mandat të dytë udhëheqës në kongresin zgjedhor të sindikatës të caktuar për në tetor të këtij viti. Nedelkov ka thënë se kundërshtarët e grevës janë individë që keqpërdoren nga pushteti. “Ata janë megafonë të këtij pushteti, që kanë për qëllim të dështojnë grevën. Por, ne vlerësojmë se 80 për qind e mësimdhënësve në mbarë vendin janë për grevë”, deklaroi Nedelkov.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi theksoi se shpreson të mos zhvillohet greva dhe të arrihet harmonizimi i qëndrimeve me sindikatën. “Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur të harmonizojmë qëndrimet me Sindikatën, mirëpo shpresoj që në periudhën e ardhshme të takohemi sërish për t’i harmonizuar ato. Shpresoj që nuk do të ketë grevë dhe do të arrijmë të harmonizojmë qëndrimet”, deklaroi ministri Ademi. Duke komentuar kërkesën kryesore për rritjen e rrogave për 25 për qind, ministri Ademi shtoi se rritje rrogave do të ketë vetëm për ata mësimdhënës që e meritojnë, por në kundër të normave ligjore. Në Maqedoni një rrogë e mësimdhënësve është nga 250 deri në 400 euro, varësisht nga kualifikimi profesional.

Kreu i SASHK paralajmëroi krerët e komunave dhe institucionet e tjera se do të përballen me ligjin, për shkak të presioneve, për shkak se greva garantohet me Kushtetutë.

Një pjesë e mësimdhënësve druajnë për humbjen e vendit të tyre të punës, për shkak se me ligjin e ri për arsim fillor dhe të mesëm të miratuar së fundi nga maxhoranca aktuale, në rast të grevave, të gjithë mësimdhënësit që janë në grevë do të zëvendësohen me mësimdhënës të përkohshëm, për të mos humbur procesi mësimor. Shpalljen e konkurseve e bëjnë këshillat e shkollave në bashkëpunim me komunën.

SASHK për këtë grevë ka alarmuar edhe sindikatat e ndryshme botërore, përfaqësues të së cilave nesër do të jenë në Shkup, për të monitoruar grevën. /Telegrafi/