Fotografia e publikuar nga gazeta boshnjake “Oslobodjenje”, në të cilën shihet një shqiptar i Kosovës me vendqëndrim në Bijelinë të Bosnjë e Hercegovinës, teksa keqtrajtohet nga dy paramilitarë serbë të formacionit paraushtarak “Tigrat e Arkanit”, gjatë luftës në këtë vend në vitin 1992.
Shkrimtari dhe gazetari boshnjak Jusuf Trbic nga Bijelina, u ka bërë apel bashkëqytetarëve të tij që të bëjnë përpjekje për ta njohur të riun nga fotografia, e cila tashmë po qarkullon edhe në mediat botërore.
“Një i ri, i cili shihet në fotografi derisa e rrahin dy ushtarë të Arkanit, është bërë para objektit të Urbanizmit të dikurshëm në Bijelinë. Bëhet fjalë për një shqiptar nga Bijelina”, shkruan “Oslobodjenje”.
Trbic ka shkruar se fotografitë sigurisht janë bërë nga fotoreporteri amerikan Ron Haviv, i cili ka xhiruar në vendin e ngjarjes deri në momentin kur ka arritur Arkani. Më pas atij i janë marrë fotografitë dhe fotoaparati.
“Por, fotoreporteri amerikan, derisa vinte Arkani, arriti që ta nxjerr filmin e vjetër nga aparati dhe ta fuste të riun, duke vazhduar të fotografonte. Ai aso kohe xhiroi se si ushtarët e Arkanit e hodhën nga kati i dyti shqiptarin e rrahur, të cilin e kishin kapur para shtëpisë së Rexhepovit. Haviv e xhiroi aty shqiptarin me duar të ngritura lartë. Kur e hodhën nga kati i dytë në asfalt, ai ende ishte gjallë, derisa ata të Arkanit vazhdonin ta godisnin me çizme dhe kondak të automatikëve. Më pas e futën në ndërtesë”, ka thënë Trbic, duke shtuar se ushtarët e Arkanit më pas e spërkasin me ujë shqiptarin (shihet në fotografi), sepse pas rrëzimit ai e kishte humbur vetëdijen.
Kur krahasohet burri në fotografi para shtëpisë së Rexhepovit, e cila në vitin 1992 përshkoi botën dhe fotografinë e burrit para Urbanizmit që e keqtrajtojnë ushtarët e Arkanit, mund të arrihet deri te konstatimi se bëhet fjalë për të njëjtin person, shkruan kjo e përditshme boshnjake.
Sipas kësaj gazete, shqiptari punonte si kamerier në këtë qytet.
“Mua më ka thënë Ron Haviv se ka dëgjuar se ai shqiptar ka mbijetuar. Nuk e di se si ka ndodhur, por beson se ai është gjallë. E kam listën e të gjithë shqiptarëve të vrarë, por nuk e di për kë saktësisht bëhet fjalë”, ka thënë Trbic, duke shtuar se gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë më së shumti shqiptarë janë vrarë në Bijelinë.
Po ashtu, thuhet se burri në fotografi është njëri nga vëllezërit Belkic. Sipas Trbicit, në prill të vitit 1992 në Urbanizëm janë sjellë dy vëllezër, Almiri (27) dhe Ibrahimi (26) me mbiemër Belkic.
Gruaja e Almirit, e cila jeton në Gjermani me të birin, pasi që e ka parë fotografinë, nuk ka mundur të vërtetojë se bëhet fjalë për burrin e saj të vrarë, shkruan gazeta.







