Kur mbeten dhe 90 minuta më pak për t’u luajtur deri në përfundim të sezonit, shumë objektiva mbeten ende pa zgjidhje në kampionatet elitarë të kontinentit, që në fundjavën e tij, projektorët i pati të drejtuar sidomos nga Spanja, ku Barcelona brenda pak ditësh humbi jo vetëm Championsin por gjithashtu rrezikon të rrëshkasë dhe në kampionat. Blaugranat dorëzuan vendin e parë në renditje pas humbjes 1-0 në Granada dhe tashmë shikojnë të parakalohen ashtu si në Europë nga dy skuadrat madrilene. Reali e ktheu në festival golash sfidën me Almerian duke fituar 4-0 falë realizimeve të Moratas, Bale, Iscos dhe Di Marias ndërsa Atletiko Madridit nuk u mendua dy herë për të marrë kreun vetmitar pas hapit fals të Barcelonës, teksa triumfoi 2-0 në derbin e vogël të Madridit me Getafen. Një fitore që rezultoi si e pirros megjithatë për ekipin e Simeones që humbi sërish shërbimet e Diego Costës.
Në garën për Champions Sevilla u dha vetes shpresë teksa fitoi derbin e qytetit me Betisin 2-0. Në Itali në pritje të Juventusit, Roma bëri detyrën duke likuiduar 3-1 Atalantën e duke cuar në pesë pikë diferencën me bardhezinjtë, ndërsa Napoli fitoi betejën e golave me Lacion 4-2, me Canën që u ndëshkua madje dhe me karton të kuq. Tjetër javë e suksesshme për Milanin që mundi Catanian me një gol të Montolivos, ndërsa Interi rigjeti më në fund fitoren, madje në mënyrë bindëse pasi mundi 4-0 Sampdorian falë argjentinasve të saj Icardi, Samuel dhe Palacio. Në Gjermani, Bajerni i Mynihut me titullin e fituar duket se është dorëzuar tërësisht në kampionat, teksa u asfaltua 3-0 nga Borusia e Dortmundit. Humbja e dytë për bavarezët që shqetësoi jo pak trajnerin Pep Guardiola. Schalke blindoi vendin e tretë në renditje pas suksesit 2-0 me Eintracht Franfkurt ndërsa Bajer Leverkuseni ruajti vendin e katërt duke mundur 2-1 Herthën e Berlinit. Vazhdon të qëndrojë në valle dhe Ëolfsburg që kaloi pa shumë probleme Nurnbergun 4-1. Në Holandë Ajaxi duhet të presë dhe një javë për të festuar titullin pavarësisht fitores me Den Hag, pasi Fejnord mbajti gjallë dhe shpresat e fundit pasi mundi 2-0 PSV Eindhovenin.