Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të enjten në takim Madhërinë e tij, Princin Ghazi bin Muhammad të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, të cilin e ka falënderuar për vizitën në përmbyllje të Javës së Tolerancës dhe Pajtimit, duke nderuar Kosovën dhe këtë organizim të MPJ-së në bashkëpunim me Ambasadën e Norvegjisë, Britanisë së Madhe dhe Këshillin Britanik.
Ministri Hoxhaj ritheksoi se ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë ekzistojnë lidhje të fuqishme politike dhe ndërinstitucionale, kurse po punohet në rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. “Kjo vizitë rikonfirmon përkushtimin tonë për relacione të ndërtuara mbi bashkëpunim të plotë në fushën e arsimit, shkencës, IT-së dhe përfitimin e përvojave të suksesshme të Jordanisë në fushat me interes të përbashkët”, tha ndër të tjera Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj kërkoi nga Princi bin Muhammad që të përkrah Kosovën në përmbylljen e procesit të njohjeve ndërkombëtare, përkatësisht në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe ato të Ligës Arabe.
Ministri i Jashtëm i Kosovës kërkoi që Jordania ta mbështesë themelimin e Qendrës Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar në Kosovë, e cila do të kontribuojë në avancimin e paqes, tolerancës ndërfetare dhe dialogut ndërmjet religjioneve, jo vetëm në Kosovë dhe Ballkan, por edhe më gjerë.
“Kosova çmon lartë bashkëpunimin me Jordaninë në fushën e kundër-terrorizmit dhe luftimin e krimit të organizuar, bashkëpunim ky i cili do të vazhdojë të forcohet edhe më tutje në interes të dy vendeve dhe dy rajoneve tona”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, Madhëria e tij, Princi Ghazi bin Muhammad i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e tij për Kosovën në fazat e ardhshme.






