Troket më në fund ora spanjolle edhe për lojtarin me origjinë braziliane, Diego Costa. Sulmuesi i Atletico Madrid që zgjodhi kampionët e botës në vend të Selecaos ka marrë ftesën e parë zyrtare nga Vincente del Bosque duke mbyllur kështu ndoshta një nga telenovelat më të gjata që rrezikoi të kthehej edhe në një çështje diplomatike mes dy vendeve. Diego Costa grumbullohet me Spanjën për miqësoren kundër Italisë e cila do të luhet pikërisht në stadiumin e skuadrës së tij “Vincente Calderon” në datën 5 mars.
Një debutim ëndrrash për bomberin e lindur në Brazil, i cili edhe pse kishte luajtur ndeshje miqësore me skuadrën e origjinës, zgjodhi të përfaqësojë “Demat” iberikë. 26-vjeçari u thirr nga Del Bosque edhe për miqësoret e vitit të shkuar kundër Afrikës së Jugut dhe Guinesë Ekuatoriake, por nuk arriti të debutonte me fanelën e “La Furia Roja” për shkak të një dëmtimi, duke u zëvendësua nga Fernando Llorente. Në listën e Del Bosques bie në sy edhe rikthimi i mesfushorit Thiago Alcantara pas rreth 7 muajve mungesë, ndërsa mungojnë David Villa e Fernando Torres. Mungesë me peshë edhe ajo e Gerard Pique, i cili vuan nga një dëmtim në pulpë, ndërsa Javi Martinez është futur në listën e mbrojtësve për shkak të problermeve që ka ky repart aktualisht.