Sipas një historiani arab, Ibn Khaldun, arsyeja e sukseseve të ISIS ndaj shteteve të organizuara dhe me kapacitete të pakrahasueshme në burime njerëzore dhe armatime moderne, qëndron tek “asabiyya”. Asabiyya është një ndjenjë e madhe grupi që lidh interesat e secilit pjesëtar në një qëllim të përbashkët.
Ky është një nocion historik, që tregon se grupet e vogla rebele (si rasti i ISIS), karakterizohen nga një ndjenjë e lartë solidariteti dhe kohezioni, që e bëjnë trupën luftuese më bashkëpunuese. Kjo ndryshon nga ushtritë e organizuara tek të cilat mbizotëron individualizmi, si shprehje e civilizimit të tyre.
Kështu mund të shpjegohen humbjet e dinastive kineze nga tributë, apo rrënimi i Perandorisë Romake nga fiset gjermanike, shumë më të pakët në numër dhe në armatime. Po i njëjti fenomen vihet re edhe në fillim të shekullit tonë, me grupet rebele në Afganistan, të cilët vazhdojnë të rezistojnë ndaj SHBA-ve. A mund të jetë ky, çelësi i “suksesit” të ISIS, përballë një bote perëndimore më kapacitete të pakrahasueshme? Kjo mbetet për t’u parë në vijim.
Aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur një plan për t’i bërë ballë kërcënimeve terroriste të grupit ekstremist ISIS. Më herët Obama deklaroi për “NBC” se do të takohet me udhëheqësit e Kongresit të martën për të diskutuar këtë çështje. Ai ka në plan të mbajë një fjalim të mërkurën në prag të përvjetorit të 13-të sulmeve të 11 shtatorit, për të shpalosur strategjinë e tij kundër grupit terrorist.






