Home Aktuale Botohet libri historik “QYTETET E KOSOVËS GJATË SHEKUJVE XVI-XVIII” i autorit Dr....

Botohet libri historik “QYTETET E KOSOVËS GJATË SHEKUJVE XVI-XVIII” i autorit Dr. Isuf Ahmeti

1701
0
SHARE

Doli nga botimi libri historik “QYTETET E KOSOVËS GJATË SHEKUJVE XVI-XVIII”i autorit  preshevar Dr. Isuf Ahmeti.

Në vazhdim ju sjellim fjalën e autorit të librit Dr. Isuf Ahmeti,i cili sqaron punën e palodhshme që ka bërë deri kur ka dalur në dritë libri i tij “QYTETET E KOSOVËS GJATË SHEKUJVE XVI-XVIII”.

 Fjala e autorit

Libri im i parë
Dr. Isuf Ahmeti

Në historiografinë tonë deri më sot nuk është trajtuar sa duhet dhe në mënyrë sintetike çështja e qyteteve të Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII. Kjo na ka shtrënguar, së pari të gjurmojmë dhe të shestojmë metodën shkencore më të përshtatshme për analizë dhe sintezë historiografike të të dhënave të grumbulluara në projektimin e kësaj monografie. Në këtë aspekt, është dashur së pari të trokasim dyert e arkivave të Stambollit, meqë Kosova gjatë periudhës në fjalë ishte brenda administratës së pushtimit të Perandorisë Osmane. Në këto arkiva kemi konsultuar fondet, si, Muhimme Defteri, Shikajet Defteri, Sixhilat Defteri, Vakufnametë, Defetri i Vuçiternës (ruhet në Arkivin Shtetëror në Ankara dhe në formën e mikrofilmit ruhet edhe në Arkivin e Kosovës), Defteri Eklam Mumtaze, Sallnameja e Kosovës, kronikat, biografitë e njerëzve të shquar etj. Gjithashtu, kam konsultuar burime nga arkiva turke, të botuara nga studiuesit Halil Inalxhik, Skëndër Rizaj, Selami Pulaha, Zija Shkodra, etj. Duke përdorur metodën analitike dhe komparative, kemi shfrytëzuar edhe burime të botuara perëndimore të mbledhura dhe botuara nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, si Injac Zamputi, Selami Pulaha, Jovan Radoniq, Jahja Drançolli, etj. Në këtë kontekst është shfrytëzuar edhe monografia përmbajtësore, kushtuar Kosovës e studiuesit anglez Noel Malcolm, monografitë bazike të studiuesit Skëndër Rizaj, kushtuar Kosovës gjatë shekujve XV-XVII dhe çështjes së xehetarisë së Kosovës gjatë shekujve në fjalë; pastaj studimi i veçantë i studiuesit Selami Pulaha, kushtuar popullsisë së Kosovës gjatë shekujve të parë të sundimit osman, etj.
Për sqarimin e çështjeve të trajtuara në këtë monografi kemi ndeshur në vështirësi të nduarnduarshme, si specifikat e paleografisë osmane të shekujve XVI-XVIII, në kërkimin e dokumenteve perëndimore, literaturës në gjuhë të ndryshme etj.
Hulumtimet arkivore për shkruarjen e këti studimi janë fokusuar edhe në fonde të dorëshkrimeve orientale, cirilike dhe latine të rujtuara në biblioteka të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Analiza studimore po ashtu është mbështetur në hulumtimet arkivore të fondeve orientale në Prishtinë, Sarajevë e Shkup. Mirëpo, burime të dorës së parë për hartimin e kësaj monografie, gjithsesi mbesin ato që janë hulumtuar në arkiva të Turqisë, sidomos në atë të Stambollit. Në kontekst të këtij hulumtimi shkencor, një interes të veçantë paraqet edhe ballafaqimi i tezave historike të historiogragfisë shqiptare me historiografinë serbe, e që kjo e dyta, qytetet e Kosovës, që nga “Naçertania” e Garashaninit e më tej, i konsideronte si qytete të së ashtuquajturës Serbi e Vjetër.
Punimi i kësaj monografie mendojmë se ofron lëndë të begatshme burimore. Ajo përshkohet me një kronologji dhe qasje të përdorimit të teknikave bashkëkohore shkencore-metodologjike.
Gjatë shekujve XVI-XVIII qytetet e Kosovës kishin trashëguar tipare të jetës së homogjenitetit etnik, që nga ilirët e deri tek periudha osmane, me gjithë rolin dhe ndikimin e dy qytetërimeve të mëdha, të atij oriental-islam dhe të krishterë, qoftë katolik apo ortodoks, qytetërime këto, të cilat sollën karakteristika dhe tipare të kohës në shqyrtim.
Kjo monografi është strukturuar në pesë pjesë: në Parathënien, Hyrjen, pesë pjesë qendrore, përfundimin, shtojcën me faksimile të dokumenteve nga arkivat e Stambollit dhe fotografi të vjetëra të qyteteve të Kosovës, si dhe referencat nga të dhënat kryesore bibliografike e arkivore.
Këto pjesë strukturale të monografisë, si për nga karakteri i përmbajtjes së lëndës studimore, si për nga qëllimi i kërkimit, ashtu edhe për nga qasja metodologjike, sajojnë një tërësi kompozicionale koherente, të rrumbullaksuar dhe harmonike. Duke ndjekur me kujdes radhitjen kronologjike me një strukturë vëzhguese, materiali studimor mendojmë se është paraqitur në tërësinë e materies së shkruar, e cila përfundon me rezymen dhe shtojcën e faksimileve të dokumenteve, të sjelluar nga arkivat e Stambollit, si dhe disa fotografi të vjetra të qyteteve të Kosovës.
Periudha nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XVIII shënon një etapë të re me kushte dhe rrethana të reja historike për popullin shqiptar. Shoqëria shqiptare kishte humbur një pjesë të konsiderueshme të forcave vitale njerëzore dhe ishte zhveshur deri diku nga shtresat e zejtarëve, tregtarëve dhe ato kulturore. Nga ana tjetër, dukuritë e reja ekonomike e politike që lindën dhe vepruan pas pushtimit osman, siç qenë përgjithësimi i regjimit të timareve si njësi me ekonomi natyrale të veçuara, luftërat dhe ekspeditat ushtarake të vazhdueshme për forcimin e pushtetit osman, vënia në shërbim të armikut dhe feudalëve shqiptarë, copëzimi i madh politik-administrativ etj., u bënë shkaqet kryesore që ngadalësuan ritmet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit, që ndikuan në ngadalësimin e dinamikës së aspekteve të ndryshme të jetës.
Sistematizimi i studimit në fjalë, i strukturuar në pjesë të veçanta, është bërë me qëllim që lënda të dalë sa më e plotë. Spektri i punimit, spikat çështjen e zhvillimit shoqëror-ekonomik të qyteteve të Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII, përfshirë këtu procesin e ndryshimeve të feudalizmit ushtarak osman, forcimin ekonomik dhe politik të feudalëve shqiptarë. Sipas burimeve të kohës, kemi konstatuar se popullata e tërë, si e qytetit ashtu edhe e fshatit, përveç bujarisë dhe qarqeve ushtarake, përfshihej në shtresën e quajtur raja. Më vonë, me diferencimin e shoqërisë në kuadër të Perandorisë Osmane del shtresa e sheherlinjve (qytetarëve), të cilët dalloheshin nga fshatarët për nga veprimtaria tipike e qyteteve të kohës. Në këtë aspekt një qasje e veçantë i është bërë ngritjes dhe rënies ekonomike të qyteteve në kohën e sundimit osman, deri në shekullin XIX. Faktor vendimtar për këto ndërrime ishin koniunkturat ekonomike të kohës. Për shembull, Novobërda, Janjeva,Trepça dhe Zveçani, përveç faktorit politik si faktor sekundar, në radhë të parë kishin marrë tatëpjetën për shkaqe të rënies së xehetarisë në to. Në anën tjetër, mu në këtë kohë Vuçitërna, Peja, Prizreni dhe Prishtina bëhen qendra të fuqishme ekonomike. Gjatë kësaj kohe lindin qytetet e Mitrovicës dhe Gjakovës, të cilat morën zhvillim të hovshëm në gjysmën e dytë shekullit XVIII.
Gjatë shekujve XVII-XVIII përparimi i qyteteve të Kosovës u ndikua edhe nga fuqizimi i tregut evropian, si dhe nga synimet e politikës merkantiuliste të disa monarkive e republikave të njohura tregtare drejt viseve të Ballkanit. Sunduesja e kësaj treve, Perandoria Osmane, e zhytur prej kohësh në një krizë të thellë sociale ekonomike dhe e mundur radhazi ushtarakisht nga fuqitë kundërshtare perëndimore, u detyrua t’i hapte portat e tregjeve të saj përpara presionit ekonomik të kapitalizmit perëndimor. Kështu, Evropa Juglindore, sidomos Rumelia, ku si njësi administrative, bënte pjesë edhe Kosova, për herë të parë në historinë e pushtimit osman fitoi një rëndësi shoqërore ekonomike dhe politike të dorës së parë.
Kjo monografi për objekt studimi ka po ashtu trajtimin e ngjarjeve politike dhe përfshirjen e qyteteve të Kosovës në to. Në këtë kuadër theks të veçantë u kemi kushtuar luftërave veneto-osmane, si dhe luftërave austro-osmane gjatë shekullit XVII, rrjedhojat e të cilave kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin e jetës së qyteteve të Kosovës. Një faktor me rëndësi në këtë kuadër paraqesin sidomos kryengritjet shqiptare kundër osmanëve gjatë shekujve XVII-XVIII. Kryengritjet e kësaj kohe mund të konsiderohen si shprehje e pakënaqësisë së shqiptarëve me sistemin tatimor dhe me keqpërdorimet e administratës turke. Intensiteti i kryengritjeve shqiptare u shtua edhe më shumë gjatë shekullit XVII. Ndër të gjitha dalloheshin qytetet e Kaçanikut, Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës. Kryengritjet kishin përfshirë sidomos trevat malore të Kelmendit, treva këto të cilat shtriheshin deri te Mitrovica dhe Novi Pazari. Perandoria Osmane përdori metoda të ndryshme që t’i qetësonte Kelmendasit, duke u bërë atyre edhe disa koncesione.
Luftërat austro-turke nga gjysma e dytë e shekullit XVII, edhe pse kishin lënë për rrjedhojë shkatërrime të mëdha, nuk e ndërprenë vazhdimësinë shqiptare në këto qytete. Trumbetimet e historiografisë serbe për të ashtuquajturën shpërngulje serbe gjatë fundit dhe fillimit të shekullit XVIII nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës nuk kanë mbështetje shkencore të duhur, meqë dokumentet e kohës, qofshin ato osmane apo perëndimore kanë provuar dhe provojnë pandryshueshmërinë e strukturës etnike të qyteteve të Kosovës pas luftërave në fjalë. Në anën tjetër, numri i ardhacakëve në qytetet e Kosovës nga fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII nuk ishte aq i madh dhe se ardhacakët e tillë ka qenë e pamundur të popullzonin të gjitha këto qytete. Kjo teori, mbetet pa mbështetje shkencore, edhe për faktin se të gjitha malësitë shqiptare (nga aludohet prej historiografisë serbe se kanë ardhur këta) nuk kishin aq banorë sa kishin, fjala vjen, vetëm Prizreni e Prishtina. Pastaj, për t’i populluar qytetet e Kosovës në fund të shekullit XVII dhe në fillim të atij XVIII, nuk mjaftonte as braktisja e të gjitha zonave malore-kodrinore shqiptare, e një braktisje me përmasa aq të mëdha nuk ndodhi kurrë.
Edhe pse luftërat në fjalë kanë lënë pasoja të mëdha, përveç Novobërdës, qytete që u shkatërruan pothuaj tërësisht, qytetet e tjera, si: Peja, Vuçiterna, Prizreni (si qendra administrative), Prishtina dhe më vonë Gjilani e Gjakova, morën veten dhe ecën krahas qyteteve të tjera të përparuara të Ballkanit.
Një tematikë e veçantë e trajtuar në këtë monografi është çështja e zhvillimit kulturor dhe arsimor në qytetet e Kosovës. Duhet theksuar se edhe kjo çështje nuk është trajtuar në veçanti në historiografinë tonë. Megjithatë, kontribut të çmuar në këtë aspekt ka dhënë studiuesit Skënder Rizaj dhe Jashar Rexhepagiq.
Gjatë shekujve XV e XVI Perandoria Osmane i kishte kushtuar një rëndësi të madhe arsimimit në të gjitha nivelet: arsimit të ulët, arsimit të mesëm e të lartë, që arrihej në institucione arsimore që quheshin mejtepe dhe medrese. Edhe në Perandorinë Osmane, ashtu si në botën islame përgjithësisht, arsimi konsiderohej një detyrim fetar për të gjithë myslimanët. Ndërkaq, ndërtimi i xhamive, mejtepeve, medreseve, teqeve dhe bibliotekave ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zgjerimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të ndërsjella kulturore shqiptaro-orientale. Këto institucione të shumta me përmbajtje orientale, e institucionalizuan depërtimin kulturor të osmanëve edhe në Kosovë, por nuk shërbyen vetëm si mjet i përvetësimit ideologjik në duart e sundimtarëve osmanë. Ato u shëndërruan në qendra të popullarizimit të arritjeve të qytetërimit islam të kohës, sidomos në fushën e letërsisë, e në radhë të parë të poezisë dhe filozofisë. Ato u shëndërruan edhe në qendra të studimit të kësaj trashëgimie, në qendra të lëvrimit të vjershërimit në gjuhën turke, arabe dhe persiane.
Theks të veçantë i kemi kushtuar në këtë kaptinë edhe shkollave të institucioneve myslimane dhe atyre të krishtera, me theks të veçantë atyre katolike, numri i të cilave, sipas njoftimeve që i kemi ndeshur ka qenë relativisht i vogël. Nga dokumentet e kohës del se shkollat katolike kanë qenë shpirtërisht të lidhura me kishën romane ku mësimi është zhvilluar mbi baza të shkrimit latin, por në gjuhën shqipe. Ndërkaq, në institucionet fetare islame arsimimi është zhvilluar në gjuhën osmane-arabe. Së këtejmi, kemi konstatuar se, arsimi në qytetet e Kosovës, si rezultat i ndarjeve në bazë të institucioneve fetare, gjatë këtyre shekujve nuk ishte i njësuar. Ky realitet, ka lënë deri vonë gjurmë të thella në përgatitjen e kuadrove të shkolluara intelektuale në Kosovë. Në bazë të shqyrtimeve të veprimtarisë shoqërore-ekonomike, politike, kulturore-arsimore, gjuhësore-letrare, si dhe veprimtarisë së disa shkrimtarëve pedagogë shqiptarë dhe të krijuesve në lëmin e kulturës, kemi konstatuar se, gjatë shekullit XVI, e sidomos në shekullin XVII, janë bërë përpjekje individuale, shpeshherë shumë të suksesshme në lëmin e kulturës dhe arsimit, ku si rezultat kanë parë dritë disa tekste shkollore e vepra të tjera nga lëmenjtë e përmendur. Vlera e aktiviteteve dhe e rezultateve teorike-praktike të Buzukut, Budit, Bardhit, Pal Hasit, Pjetër Mazrekut, Ndre dhe Pjetër Bogdanit e deri te mësuesi dhe veprimtari Don Mikel Tarabulluzi, ka qenë shumë e madhe duke marrë në konsideratë rrethanat shumë të vështira shoqërore-politike kur jetuan e vepruan ata.
Si çështje në vete është trajtuar ndërrimi i strukturës fetare në qytetet e Kosovës, pozita e Kishës Katolike dhe veprimtaria e Patrikanës së Pejës. Këtu, së pari jepet një pasqyrë sintetike për fillimet e islamit në arealin shqiptar dhe më pastaj kalohet në zhvillimet e tij gjatë shekujve XVI-XVIII në Kosovë. Në mbështetje të burimeve të kohës dhe mbështetur në literaturën relevante, kemi arritur në konstatim se islamizimi i qyteteve u realizua nëpërmjet dy rrugëve: e para, nëpërmjet islamizimit të vetë popullatës së qyteteve, dhe e dyta, përmes ardhjes në qytete të elementëve të islamizuar nga fshatrat përreth. Elementit ardhës nga rrethet, islamizimi u’a lehtësonte hyrjen në qytet ku fitonin statusin e sheherliut (qytetarit), status ky që i vendoste ata në një gjendje relativisht më të favorshme sesa ajo e mëparshmja.
Në kaptinën e dytë të pjesës së katërt, kemi trajtuar pozitën e Kishës Katolike gjatë shekujve të parë të sundimit osman. Në mbështetje të burimeve të botuara perëndimore, sidomos të relatorëve papnorë, kemi arritur në numrin e përafërt të besimtarëve të atëhershëm katolikë në qytete, si në Novobërdë, Pejë, Prishtinë, Prizren, Trepçë, Gjakovë etj. Gjithashtu, kemi bërë fjalë për gjendjen e monumenteve të kultit katolik, shkollave katolike, si dhe institucioneve të ngjashme të kohës. Një kaptinë të pjesës së katërt i’a kemi kushtuar rolit të Patrikanës së Pejës gjatë shekujve XVI-XVIII. Duke shfrytëzuar lëndë të bollshme burimore kemi arritur të konstatojmë se Patrikana e Pejës ndryshe nga institucionet e monumentet e kultit katolik, gëzonte autonomi të plotë nga vetë sulltani, autonomi kjo që u shfrytëzua në mënyrë perfide nëpërmjet shtypjes së lirisë kombëtare dhe besimit te popullsia shqiptare jo vetëm e Pejës dhe rrethit të saj por edhe më gjerësisht.

Isuf Ahmeti

Kush është Dr. Isuf Ahmeti?

Isuf Ahmeti u lind më 25.08.1968 në fshatin Bushtran të komunës së Preshevës. Studimet themelore në degën e historisë i përfundoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Jordanisë në Aman, 1987-1992. Në fakultetin filozofik, dega e historisë pran Universitetit të Prishtinës i ndoqi studimet pasuniversitare 1995-1999 dhe më 02.10.1999 mori titullin magjistër në temën: “Kontributi i personaliteteve shkodrane në siri në jetën kulturore arabe”. Studimet e doktoratës 2001-2008 i vazhdoi në këtë fakultet. Ka doktoruar më 07.11.2008, me temën “Qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII”.
Isuf Ahmeti punoi si mësimdhënës i lëndës së historisë, në Gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë prej vitit 2001-2003 dhe prej vitit 2003-2008 punoi në Institutin e Historisë në Prishtinë. Aktualisht ligjëron në Universitetin “FAMA” në Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Isuf Ahmeti merret me historinë e periudhës osmane dhe është pjesmarrës në shumë simpoziume e konferenca shkencore në Kosovë dhe jashtë saj për çështje të historisë dhe historiografisë shqiptare. Deri më tash ka botuar një varg punimesh shkencore dhe publicistike./Lugina Press/