Home Aktuale Thaçi: Manastiri i Deçanit u ruajt për shekuj nga myslimanët

Thaçi: Manastiri i Deçanit u ruajt për shekuj nga myslimanët

883
0
SHARE

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vendosur në profilin e tij në Facebook parathënien e librit mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në luftën e Kosovës 1998-1999. Indeksonline ka raportuar dje për këtë parathënie dhe e njëjta është botuar edhe në të përditshmen serbe, “Danas”.

Parathënia është shkruar në maj të vitit 2012.

Ky libër i edituar nga Krye Imami Sabri Bajgora, albanologu Robert Elsie dhe zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi, ofron të dhëna, foto dhe dokumente detaje të trashëgimisë islame të Kosovës, që u shkatërruan në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Në parathënie kryeministri Thaçi flet për shkatërrimin e objekteve fetare islame në Kosovë gjatë dy viteve të luftës, si dhe ruajtjen që shqiptarët ua bënë objekteve dhe kishave serbe.

“Nuk duhet harruar se Manastiri Ortodoks i Deçanit është ruajtur dhe mbrojtur për shekuj me radhë nga një familje shqiptare myslimane, dhe se një pjesë e liturgjisë që këndohet në ditën e shenjtë të themeluesit të saj, Mbretit Shën Stefanit, këndohet tradicionalisht në gjuhën shqipe. Deri më sot, kur mjekët nuk mund të ofrojnë asnjë shpresë, myslimanët shqiptarë kërkojnë shërim çudibërës në këtë manastir”, ka shkruar nder tjerash ai.

Lexojeni parathënien e plotë të kryeministrit Thaçi:

Qeveria e Kosovës dëshiron që plagët e luftës të shërohen, dhe dëshiron të kontribuojë në këtë drejtim që Kosova dhe Serbia të mund të jenë fqinjë të mirë – ashtu siç, gjithnjë e më shumë, shqiptarët dhe serbët në Kosovë po gjejnë mënyra të bashkëjetesës, bashkëpunimit, dhe miqësisë. Ky libër, që ofron të dhëna të trashëgimisë islame të Kosovës, që u shkatërrua në vitet 1998-1999, nuk mëton të ndërpresë këtë proces ose për të ringjallur armiqësitë dhe zemërimin e vjetër. Ne shumë shpresojmë që një ditë do të ketë një qeveri serbe të aftë dhe të gatshme për ta pranuar shkallën e shkatërrimit e cila është kryer në emër të Serbisë, dhe të shprehë keqardhje – ashtu siç bëri në rastin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Një proces shërimi nuk mund të arrihet përmes harresës dhe mohimit. Falja kurrë nuk mund të jetë kuptimplotë nëse ajo mbështetet në harresë. Kjo është veçanërisht e vërtetë tek trashëgimia kulturore dhe fetare e një kombi. Edhe kur manifestimet fizike të kësaj trashëgimie janë shkatërruar, njerëzit nuk duhet të harrojnë atë që dikur ata kanë pasur.

Të dhënat e detajuara janë të nevojshme për të ndihmuar në shqyrtimin e asaj që është humbur në këtë tragjedi, sikurse në rastet tjera si në shkatërrimin e Varshavës ose Drezdenit, të Urës së Vjetër të Mostarit në Bosnjë, apo edhe të 35 kishave ortodokse serbe në Kosovë që u dëmtuan gjatë trazirave ndëretnike në mars, 2004, (dhe të cilat, nuk duhet harruar, që janë rindërtuar me fonde të siguruara nga Qeveria e Kosovës, e cila ishte e shpejtë në dënimin e sulmeve).

Në vitet e errëta të periudhës 1998-1999, 218 nga 560 xhamitë në Kosovë – gati 40% e tyre, janë shkatërruar ose dëmtuar. Kjo sipas fjalëve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime për ish-Jugosllavinë, ishte një “fushatë sistematike e forcave serbe, kundër popullatës shqiptare të Kosovës mbështetur në veçanti mbi baza fetare, e cila përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe të objekteve të shenjta myslimane.” Jo të gjitha nga këto objekte ishin të vjetra ose të një rëndësie të madhe, përveç për banorët e qyteteve dhe fshatrave në fjalë. Por, shumë prej tyre kishin vlerë të madhe arkitektonike dhe kulturore. Xhamia e Çarshisë në Pejë dhe Xhamia e Llapit në Prishtinë u ndërtuan rreth vitit 1470. Xhamia e respektuar e Hadumit në Gjakovë, me bibliotekën e saj të famshme, u themelua më 1592-1596. Sa i përket Pejës, mund të përmenden Defterdar Xhamia, Kurshumli Xhamia, dhe Hamam Xhamia, të cilat janë gjithashtu të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Edhe objekte tjera të trashëgimisë kulturore u vunë në shënjestër – të tilla siç janë pazaret në Gjakovë dhe Pejë, banjat turke të Haxhi Begut në Pejë të shekullit të pesëmbëdhjetë, dhe shumë kulla tradicionale të fortifikuara me gurë që gjendeshin në pjesën perëndimore të Kosovës. Çfarë është veçanërisht tronditëse, që disa pjesë të kësaj vale të mirë-planifikuar të shkatërrimit (siç është djegia e selisë së Bashkësisë Islame në Kosovë dhe të arkivave historike të saj) janë kryer pasi që Serbia kishte rënë dakord t’i tërheqë forcat e saj dhe pas hyrjes së KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë.

Këto humbje vetëm se i janë shtuar atyre që u shkaktuan në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Jugosllavisë komuniste, kur projektet shpeshherë janë nismuar me qëllim fshirjen e trashëgimisë fizike të “pesëqind viteve nën sundimin osmanë”. Çfarëdo që serbët dhe shqiptarët mund të mendojnë për trashëgiminë tonë të përbashkët osmane, paraardhësit tonë kanë jetuar jetët e tyre si pjesë e saj. Nuk kemi asnjë të drejtë të tallemi me kujtimet e tyre, ose të fshijmë atë që ata na kanë dhënë. Nuk është që Serbët ishin “të ngrirë në kohë” nga Beteja e Fushë Kosovës më 1389 deri në pavarësi në shekullin e nëntëmbëdhjetë, dhe që pastaj mrekullisht u zgjuan të pandryshuar, e as shqiptarët nuk ishin të ngrirë në kohë që nga vdekja e Skënderbeut deri më 1912.

Si kryeministër i Kosovës, jam kreu i një qeverie shumetnike, shumë fetare dhe shumë gjuhësore. Ndonëse e shqetësuar një dekadë më parë nga agjenda nacionaliste e Beogradit, historia e Kosovës është shquar në të shumtën e rasteve për bashkëjetesë dhe tolerancë ndëretnike dhe ndër fetare. Nuk duhet harruar se Manastiri Ortodoks i Deçanit është ruajtur dhe mbrojtur për shekuj me radhë nga një familje shqiptare myslimane, dhe se një pjesë e liturgjisë që këndohet në ditën e shenjtë të themeluesit të saj, Mbretit Shën Stefanit, këndohet tradicionalisht në gjuhën shqipe. Deri më sot, kur mjekët nuk mund të ofrojnë asnjë shpresë, myslimanët shqiptarë kërkojnë shërim çudibërës në këtë manastir.

Kjo traditë e tolerancës nuk është humbur, pavarësisht fushatës serbe të shkatërrimit, të përfshira në këtë libër. Asnjë kishë e vetme serbe nuk ishte në shënjestër nga shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999. Vetëm kur refugjatët shqiptarë të Kosovës u kthyen në mes të qershorit 1999 dhe e panë nga afër shkatërrimin e objekteve të tyre fetare dhe laike, ngjau një valë e sulmeve, kur fatkeqësisht u vunë në shënjestër dhjetëra objekte ortodokse serbe. Këto sulme – të cilat unë nuk i fal, sado që mund të kenë qenë të kuptueshme nga një këndvështrim njerëzor – ishin jetëshkurtër. Si rezultat i thirrjeve të bëra, mes tjerësh, nga figura politike dhe prijës islamikë në Kosovë, sulmet përfunduan në fund të gushtit. Që andej e tutje, ndërmjet shtatorit 1999 dhe trazirave ndëretnike të vitit 2004, ka pasur më pak se një duzinë incidentesh të tillë. Që nga marsi 2004, nuk ka pasur probleme tjera të këtij lloji. Siç kam vënë në dukje, është pikërisht Qeveria e Kosovës ajo që financoi rindërtimin e kishave të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004, në kundërshtim të thellë me mungesën e pagesës nga Serbia për dëmet kulturore të shkaktuara nga përfaqësuesit e shtetit serb.

Jam krenar për objektet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vendin tim – Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, si dhe Patriarkanës së Pejës (Pejë) – që kanë mbetur të paprekur nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, dhe shpresoj së këto kisha do t’i prijnë rrugës së pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Jam gjithashtu krenar për Kishën Katolike të Zonjës së Zezë tek Letnica, ku Nënë Tereza e pa vegimin që e çoi atë drejt marrjes së zotimeve fetare, dhe për katedralen e re katolike në Prishtinë që është afër përfundimit, në tokën që është dhuruar nga Qeveria e Kosovës. Me mbështetjen e organizatave siç është TIKA Turke, ne kemi riparuar gjithashtu disa trashëgimi të çmuara islame.

Ata që besojnë në një Zot duhet të pranojnë se vendet e adhurimit të tjerëve të cilët besojnë një Zot janë njësoj të shenjta. Ata që besojnë në të drejtën ndërkombëtare duhet të pranojnë se vendet e adhurimit janë të pacenueshme. Këto parimet themelore të bashkëjetesës, mjerisht, janë shkelur në momentet tragjike në historinë tonë. Ne duhet të përkushtohemi ndaj tyre.

Ky është një libër i dhimbshëm sepse tregon diçka për atë që kemi humbur. Është i dhimbshëm, sepse tregon se sa lehtë qeniet njerëzore janë në gjendje të shkatërrojnë atë qe breza para tyre kanë ndërtuar me dashuri dhe frymëzim, me kohë dhe me para. Por, është gjithashtu një libër që mund të na jep shpresë. Disa prej objekteve të shkatërruar mund të restaurohen, dhe ata që nuk mund të restaurohen, të paktën mund të mbahen mend. Ata që u përpoqën për ta shkatërruar të shkuarën tonë me shpresë se, duke bërë kështu, gjithashtu do ta shkatërrojnë të ardhmen tonë, nuk kanë fituar dhe kurrë nuk do të fitojnë. Kjo është një lojë fjalësh e mburrjes nacionaliste, ky është një zotim për të gjithë njerëzimin.

Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Prishtinë, maj 2012