Home LAJME Prish në Muçivrcë e Ndërto në Hodonoc (TV)

Prish në Muçivrcë e Ndërto në Hodonoc (TV)

431
0
SHARE

Kompania “Area” e kontraktuar nga Komuna e Kamenicës për rregullimin e trotuarit me kubëza betoni në fshatin Hodonoc, gjatë punës dëmtoi ambientin e fshatit Muçivrcë.

Emri i vendit “ Te Hajmaliat” në Muçivrcë ku është marrë dhe e zhavorr për ndërtimin e bazës së trotuarin të fshatit Hodonoc, nuk e ka “frikësuar” kompaninë “Area”.

Kjo kompani fitoi tenderin në vlerën e 74 mijë e 55 eurove për trotuarin me kubëza të Hodonocit nga Komuna e Kamenicës në nëntorin e vitit të kaluar.

Projekti është dyvjeçar, ndërsa sipas kontratës duhet të kryhet brenda 100 ditëve të punës.

Por banorët e fshatit Muçivrcë ankohen se kompania e kontraktuar nga komuna ua dëmtoi ambientin. Nexhmedin Keka tregon t’i ketë parë punëtorët e “Areas” duke marrë dhe, por nuk di kush i ka lejuar për këtë.

Fshatrat e Kamenicës Hodonoc e Muçivrcë nuk janë shumë larg njëri-tjetrit.

Sipas Kekës në vendin ku kompania ka gërmuar për dhe e zhavorr, nuk bën të bëhet kjo gjë, pasi ka pasur pisha. Ai ankohet edhe në punën e administratorit të fshatit Muçivrcë.

“Banorët nuk janë të pajtimit [për marrjen e dheut], ne e kemi administratorin, por ai nuk merr masa, nuk i intereson asgjë për katund“, thotë Keka.

Por administratori Adem Hashani deklaron të jetë takuar me pronarë të kompanisë “Area”, duke kërkuar që të mos dëmtojnë ambientin e Muçivrcës.

“Jemi taku me pronarët e firmës dhe nga ta kam kërkuar të ndalet marrja e dheut, por ata kanë vazhduar edhe pak me bartje të dheut “, thotë Hashani.

Ai tregon se ka njoftuar organet kompetente për këtë shkelje.

“Ditën e bartjes së dheut ka qenë ditë vikendi dhe unë e kam lajmëru inspektorin Refik Latifaj, i cili më ka thënë se nuk jam i njoftuar për këtë “, thotë Hashani.

Faton Biqkaj zëdhënës i Komunës  së  Kamenicës thotë se i kemi pranuar shqetësimet e banorëve të  fshatit Muçivrcë.

“  Zyra e Inspektoratit ka dalë në terren dhe e ka pa gjendjen dhe me datë 12 mars 2014 i ka shqiptu një vërejtje kompanisë “Area” për dëmtim të pronës publike “, thotë Biqkaj.

Por Aziz Morina nga kompania e Kamenicës “Area”, megjithëse nuk dëshiron të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë, thotë se lejen për marrje të dheut dhe zallit e kanë nga komuna.

“Unë jam marrë vesh me organet komunale dhe nëse duhet dal përsëri me marrë dhe “, thotë Morina.

Por zyrtarë komunalë shpjegojnë se kompania e kontraktuar për trotuarin në Hodonoc, duhet ta kthejë në gjendjen e mëparshme vendin e dëmtuar të Muçivrcës.

“Kompania ka afat prej dhjetë ditësh për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme, e nëse prona nuk kthehet në gjendjen e mëparshme do të merrern masa tjera” thotë Biqkaj.

Me masa tjera Biqkaj nënkupton dërgimin e lëndës për këtë dëmtin në gjykatë.

Por banorët e Hodonocit i gëzohen trotuarit që po u shtrohet dhe nuk brengosen se ku po merret materiali i ngurtë për bazën e tij.

“Neve po na konvenon puna që janë duke e bërë, e atje çka kanë bërë duhet me u përgjigjë vetë”, thotë Gëzim Islami, njëri nga banorët e këtij fshati.

“Për ne po bëhet mirë, për tjerët nuk e di, për ne po rregullohet trotuari dhe ujësjellësi”, vazhdon Islami.