Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Lipjanit për shumë kohë vëzhguan punën 100 ditëshe të kryetarit aktual të kësaj komune, Imri Ahmeti (LDK), i cili është në koalicion me Nismën e Fatmir Limajt. E duket se ky vëzhgim iu ka penguar aktivistëve të LDK-së dhe Nismës.
Këta të fundit nuk ngurruan që të kryenin sulm fizik ndaj njërit nga aktivistët e Vetëvendosjes që kontribuoi në raportin 100 ditësh të Komunës së Lipjanit.
Sipas Vetëvendosjes, përmbledhja e 100 ditëshit i kushtoi me sulm fizik, aktivistit Adnan Rrustemi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
Njëri nga aktivistët e degës së Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ai dy ditë para sulmit ishte takuar me nënkryetarin e Komunës, Fitim Selimi (Nisma) dhe ai e kishte paralajmëruar sulmin fizik ndaj Rrustemit.
Sipas tij, ky kërcenim ka shpërthyer në dhunë fizike më pas.
Rrustemi, duke dënuar aktin në fjalë, ritheksoi se nuk do të ndalin aktivitetet e tyre për të denoncuar keq-qeverisjen.
“Ky sulm është bërë me motive politike mbi bazën e saj që kemi kritikuar për abuzime që janë bërë në 100 ditëshin e parë të qeverisjes. Natyrisht që sulmet e tilla nuk do të na ndalin edhe në aktivitetin tonë për të denoncuar keqqeverisjen dhe për tu kthyer në shërbime të qytetarëve, ne do të vazhdojmë të denoncojmë”, vlerësoi Rrustemi.
“Ishte një rast i rëndë, ishte moment kur disa individë ishin të irrituar lidhur me atë komunikatë. Ne kemi marrë kërcënime edhe më herët. Ajo komunikatë është përgjegjësi e qendrës tonë, por kërcënimet nuk i morëm seriozisht. Ne e dënojmë këtë rast, të mos përsëritet pasi që nuk e kemi ndërmend të ndalemi, dhe në këtë mënyrë do të dënojmë pushtetin aktual në Lipjan”, ka thënë një aktivist i VV-së, qendra në Lipjan. /Indeksonline/






