Deputetja në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, tha se dy ushtri shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës janë faktorë destabilizues në regjion. Sipas saj, nuk ka konsensus në NATO për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, ndërsa njëri prej faktorëve sipas saj, është shkuarja e shqiptarëve për të luftuar në Libi, Siri etj. Gjithashtu Trajkovic ka thënë se mbetet interesante dhe të shihet se si do të votojnë serbët.
Me rastin e vendimit të djeshëm të qeverisë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, Trajkovic tha se ky vendim do të ndikojë negativisht në gjithë rajonin.
“Dy ushtri shqiptare, një në Shqipëri, një në Kosovë dhe Metohi është me të vërtetë faktor destabilizues në rajon“, tha për RTK2, deputetja Rada Trajkovic. Sipas saj, është e natyrshme që serbët janë kundër krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Trajkovic beson se brenda NATO-s nuk ka marrëveshje për krijimin e një ushtrie të Kosovës .
“Unë mendoj se brenda NATO-s nuk ka konsensus për konvertimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura. Unë mendoj se vendimi i Qeverisë së Kosovës dhe i Këshillit të Sigurisë së Kosovës është i parëndësishëm, me përjashtim të faktit për përdorim të brendshëm”, tha ajo.
Sipas saj më interesante do të jetë se si deputetët serbë do të votojnë kur kjo çështje të jetë në agjendën e Kuvendit të Kosovës.
Ajo thotë se kur ligjvënësit serbë votuan për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur, morën premtim për vendet e rezervuara, por premtimi sipas saj, nuk është mbajtur nga kryeministri Thaçi. /Telegrafi/






