Këngëtari ferizajas, Labinot Tahiri-Labi, në cilësinë e organizatorit të protestës në Ferizaj, ka thënë se “ne jemi përkrah nënave që akoma presin tu kthehen familjarët, të gjallë o të vdekur”.
“Mund t’i them Jabllanoviqit nëse nuk e ke ditur se në Kosovë ka pasur masakra mund të pyesësh matanë kufirit të Kosovës që akoma ka varre masive dhe mund t’i gjeni atje kufomat e shqiptarëve të masakruara nga regjimi i Millosheviqit. Ky është momenti më krenar i jetë sime, ngase të gjithë së bashku arritëm t’i tregojmë botës se ne jemi popull evropian, ishim dhe jemi popull i civilizuar edhe dikur kur ne kishim një hallkë të hekurt në fytin tonë nga pushtuesi” ka thënë Labi. Ai është ndërprerë shumë herë nga thirrjet e protestuesve për dorëheqjen e ministrit Jabllanoviq.
“Ne jemi popull i civilizuar dhe jemi mirënjohës për të gjithë ata që na ndihmuan, i ndihmuan UCK-së, e kam fjalën për ata që na dolën zot, SHBA-t dhe aleatët tanë shtetet perëndimore. Nënat tona hoqën shumë, patën shumë heka, mund e sakrifica. Ushqyen idealin tonë shqiptar, prandaj duhet të jemi më to ngase goditjet e tilla në shtetin tonë nuk mund t’i lejojmë” tha Labi.






