Home SPORT 4 sfidat e luksit në Europë

4 sfidat e luksit në Europë

842
0
SHARE

Europa buçet. Fundjava mbyllëse e muajit shkurt propozon disa nga sfidat më të luftuar në kampionatet e kontinentit të vjetër. Italia, Spanja dhe Gjermania prezantojnë vitrinën e futbollit të tyre me disa klasike të gjitha për t’u shijuar, sigurisht vetëm në SuperSport. Treni i Serie A mbërrin në javën e 26-të me një sfidë antipastë mbrëmjen e së shtunës. Roma synon t’i japë vazhdimësëi një kampionati të çmendur. Verdhekuqtë presin Interin në një sfidë që premton gjithçka edhe pse në një stadium pothuajse të boshatisur për shkak të vendimeve të disiplinorit. Kryeqytetasit kanë grumbulluar plot 57 pikë, një sezon më parë në këtë situatë mund ta shikonin veten shumë mirë në vendin e parë të klasifikimit, sfidohen nga Interi anemik që nuk mundi të siguronte suksesin e tretë rresht në kampionat një javë më parë. Skuadra e Mazzarrit kërkon zonën Europa League pasi vendi i tretë me 11 pikë më shumë mbetet një utopi. Gjithsesi, Roma-Inter është një sfidë që ka dhuruar përherë emocione dhe nuk mund të ndodhë ndryshe edhe këtë të shtunë në “Olimpico”. Por java e 26-të në Itali prezanton një tjetër 90 minutësh interesant në “San Siro” ku Milani i Seedorf pret kampionët e Juventusit. Ky konsiderohet si një nga testet më delikate të skuadrës së Contes që ndien hapat e Romës ndjekëse dhe një hap fals përballë kuqezinjve mund ta rihapë kampionatin që aktualisht është ndalur në diferencën +9 por me një ndeshje më pak për verdhekuqtë e Garcias. Torinezët numërojnë vetëm një disfatë në këtë sezon dhe kjo statistikë flet qartë për bardhezinjtë, të cilët e kanë harruar që nga ajo ditë e mallkuar e Firenzes shijen e humbjes, prandaj Milani ka përpara një sfidë, e cila kërkon shumë djersë dhe sakrificë për të ngushtuar sa më shumë diferencat teknike dhe fizike në fushën e lojës. Dy fitoret në javët e fundit janë një sinjal i rëndësishëm për Seedorf që duket se është në korsinë e duhur për të çuar sa më larg këtë skuadër dhe për më tepër misioni i këtij sezoni nuk ka asnjë objektiv të qartë, çka do të thotë më pak presion për Milanin që mbetet ende kantier në ndërtim. Taarabt është emri i momentit në Milanello, ndërsa Balotelli mbetet ende në dyshim. Nga ana tjetër, Conte prezanton dyshen Tevez-Llorente, të cilët po rezultojnë jetikë në ecurinë e frikshme të bardhezinjve këtë sezon, pasi skuadra e Contes ka grumbulluar plot 11 pikë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Spostohemi në Spanjë si rrallëherë derbi i Madridit premton edhe biletën për vendin e parë të klasifikimit. Reali udhëton pak km më larg “Bernabeut” pasi viziton “Vincente Calderon” në shëndet të plotë pas dy përballjeve të Kupës të fituara me “Los Colchoneros”. Një dozë të madhe optimizmi skuadra merengues e ka marrë edhe nga sfida e Champions League kundër Schalkes 6-1, ndërsa vendi i parë në klasifikim i jep më shumë siguri skuadrës së Ancelottit që po mahnit gjithë Spanjën me transformimin që ka pësuar në pjesën e dytë të sezonit. Me Cristiano Ronaldon të rikthyer pas pezullimit, Reali i Madridit kërkon hakmarrjen për disfatën e fazës së parë, por mbi të gjitha për të ruajtur hapin kryesues, pozicion që e fitoi vetëm një javë më parë falë edhe hapave falsë të Atleticos dhe Barcelonës. Kjo është vetëm Java e 26-të dhe ndoshta jo vendimtare për fatet e sezonit të të dyja skuadrave por në përfundim të këtij 90 minutëshi nuk ka dyshime se do të marrim një përgjigje të pjesshme për fatet e këtij sezoni që pritet të mbetet i luftuar deri në javën e fundit. Në fund spostohemi në Bundesligë ku një tjetër akt klasik do të luhet në “Allianz Arena”. Bayerni i Mynihut pret Schalke 04 në një moment kur diferenca prej tre vendesh në klasifikim nuk pasqyrohet në mënyrë të drejtë edhe në formën e të dyja skuadrave pasi kampionët mbeten të favorizuar për të siguruar suksesin e 21-të në kampionat. Ritmi i çmendur i skuadrës së Guardiolas kërcënon miqtë nga Genselkircheni, të cilët në rast disfate rrezikojnë të humbasin vendin e katërt që siguron edhe biletën e fundit për Europën që vlen. Mungesa e Muller nuk do të ndikojë shumë në radhët e bavarezëve, të cilët rigjejnë Ribery dhe Shaqirin që rikthehen nga dëmtimet respektive. Çështja e kampionatit është pothuajse një kapitull i mbyllur për skuadrën e Guardiolës që si objektiv të vetëm ka rekordin e fitores matematike sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa Schalke gëzon pozita tërësisht të ndryshme sepse sezoni i miqve sapo është ndezur. Një nga minuset e mëdha të bluve mbretërorë në këtë sfidë është morali pothuajse përtokë pas disfatës së turpshme 6-1 ndaj Realit të Madridit, çka do të thotë se Jens Keller i duhet ende edhe shumë punë për t’i ngjitur blutë mbretërorë një stad më lart në arenën e futbollit gjerman dhe atij europian.

 

LEAVE A REPLY