ʺMos u smufshʺ, sa shpesh e kemi dëgjuar këtë shprehje nga qytetarët e Kosovës, të cilët të brengosur për shëndetin e tyre dhe të lodhur e të dëshpëruar me mungesën e shërbimeve adekuate në sektorin publik, gjersa për trajtim në klinikat private apo jashtë vendit nuk kanë para të mjaftueshme për të cilat kushtojnë dhjetëra mijëra euro, këtë luks e kanë vetëm familjarët e qeveritarëve!
Sektori i shëndetësisë në Kosovë në vazhdimësi është karakterizuar me probleme dhe keqpërdorime të mëdha që nga paslufta e deri më sot. Gjendja në sistemin e shëndetësisë është e rëndë dhe pa rrugëdalje. Shërbimet shëndetësorë në tërë sistemin shëndetësor janë të cilësisë së ulët, përkushtimi i mjekëve nuk është në nivel të duhur, mungojnë barnat esenciale, ndërsa shumë nga ligjet e domosdoshme për organizimin dhe strukturimin e sistemit të shëndetësisë nuk janë miratuar ende nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Përkundër gjendjes më të mirë në sistemin primar shëndetësor, nëpër komuna por që ofrohen shërbime të kufizuara, sistemi sekondarë klinikat, institutet dhe qendrat spitalore janë duke u ballafaquar me mungesë efikasiteti, shërbime të ulëta, papërgjegjësi profesionale, higjenëë të ulët, objekte të vjetruara, keqmenaxhim dhe keqpërdorime të ndryshme. Në shumë nga klinikat e qendrave spitalore të Kosovës mungojnë barnat dhe çështjet bazike si: citostatikët, insulinat, penjtë kirurgjikë, mungesë e anestetikeve. Po ashtu çështja e stendave është një nga rastet e shpërthimit të skandaleve të korrupsionit në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Megjithëse reforma në shëndetësi ka qenë njëra nga temat e legjislaturës së kaluar dhe e programit të qeverisë, e cila ka marrë energji dhe kohë të madhe, ka tërhequr vëmendjen dhe përkushtimin e deputetëve, por edhe të qytetarëve.
Për më tepër ministri në largim Ferid Agani kishte paralajmëruar masa të shpejta dhe veprime efikase për ta tejkauluar këtë gjendje, por edhe pse ndodhemi në fillim të legjislaturës tjetër , gjendja në sektorin shëndetësor nuk është përmirësuar aspak nga qeverisja e kaluar, bile në disa raste ka degraduar edhe më shumë . Ministria e shëndetësisë kishte sponsorizuar një sërë masash, strategjish e ligjesh që synonin përmirësimin e gjendjes në sektorin shëndetësor, por efektet e këtyre masave nuk po i vëren qytetari i thjeshtë, vetëm sa po e vërjem shtimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
Mungesa e hyrjes në fuqi të ligjit të shëndetësisë i ka ngadalësuar reformat dhe solli pengesa edhe për aprovimin e ligjeve që ndodhen në procedurë si: Ligji për sigurimet shëndetësore, ligji për odat e profesionistëve shëndetësorë, Ligji për transplantimin e qelizave, Ligji për transplantimin e organeve, Ligji për produktet dhe pajisjet medicinale.
Buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë, në shumën, prej 128.4 milionë euro apo rreth 8.1 për qind e buxhetit të Kosovës, është jashtëzakonisht i vogël dhe nuk i plotëson as për së afërmi kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Me këtë buxhet dhe pa aprovimin e ligjit mbi sigurimet shëndetësore, shëndetësia nuk mund të jetë prioritet qeveritar.
Qytetarët e Kosovës shpenzojnë miliona euro për trajtime jashtë vendit në mungesë së shërimit në Kosovë. Prandaj, sistemi shëndetësor me gjendjen kaotike dhe krizën që po përballet, më tepër shërben si mundësi e mirë për keqpërdorime dhe burim i rrezikimit të shëndetit publik, sesa një segment i besueshëm për trajtim dhe shërim.






