Ansambli i këngëve dhe valleve “Venac” nga Graçanica, nuk ka mundur të udhëtojë për në Baden të Zvicrës, pasi ambasadat e këtij shteti në Prishtinë dhe Beograd kanë refuzuar t’i marrin parasysh pasaportat e tyre serbe.
Anëtarët e ansamblit nga komuna e Graçanicës në Kosovë, kishin aplikuar për viza me pasaporta të Serbisë në ambasadën zvicerane në Prishtinë. Por, kjo kishte refuzuar t’i marrë parasysh, duke i sugjeruar se me ato pasaporta mund të aplikojnë vetëm në ambasadën zvicerane në Beograd.
Por, ata edhe atje ishin refuzuar. Ambasada zvicerane në Beograd u kishte thënë se personat që jetojnë në Kosovë, duhet të aplikojnë për vizë në Prishtinë.
Zvicra është ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e këtij vendi pranon vetëm dokumente të lëshuara nga Republika e Kosovës, përcjellë lajmi.net një shkrim të gazetës serbe Vecernje Novosti.
Artistët serbë nga Graçanica, të cilët thonë se financohen nga buxheti i Serbisë, do të mund të udhëtonin për në Zvicër sikur të pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Por, ata kanë thënë se duke pasur parasysh se shteti i tyre, i cili edhe ua financon aktivitetin, pavarësinë e Kosovës e konsideron të jashtëligjshme, kanë refuzuar që të pajisen me një dokument të tillë.
Ky ansambël ka paralajmëruar se në shenjë proteste do të performojë përpara Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë. /Lajmi/






