Home Aktuale Zgjedhjet vendore në Turqi, sfidë për Erdoganin

Zgjedhjet vendore në Turqi, sfidë për Erdoganin

694
0
SHARE

Zgjedhjet lokale sot në Turqi janë më shumë se vetëm zgjedhja e kryetarëve të komunave.

Mbi 50 milion votues kanë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarët e Bashkive dhe komunave në më shumë se 200 mijë qendra të votimit.  Votimet fillimisht u hapën në pjesën lindore të vendit, ndërsa më pas në pjesën perëndimore.

Nëse Erdogani del i dobësuar apo i forcuar nga ky provim, vendoset edhe në metropolin 15 milionësh të Stambollit, ku kryeministri i sotëm para 20 vjetësh filloi karrierën e tij politike si kryebashkiak.

Në qoftë se partia e tij AKP e humb sundimin mbi bashkinë e qytetit gjigand në Bosfor, kryeministri 60-vjeçar do të goditej rëndë politikisht.

Në garën për Stambollin janë Mustafa Sarigül, kryetari i bashkisë të lagjes së pasur të Stambollit Sisli është kandidat i partisë opozitare sekulariste CHP dhe kryetari aktual Kadir Topbas nga partia e Erdoganit.

Sondazhet parashikojnë një rezultat të ngushtë. Sarigül premton internet falas në të gjithë qytetin, në rast se fiton, po ashtu edhe përdorimin gratis të transportit publik për studentët. Por, Erdogan e quan Sarigülin një “anarkist”.

Në fushatat zgjedhore turke nuk munguan sharjet e kundërshtarit. Akuzat e fundit për korrupsion e kanë dëmtuar Erdoganin. Kryeministri vetë i sheh të gjitha këto si komplot të lëvizjes së predikuesit islamik Fethullah Gulen, i cili e ka mbështetur për një kohë të gjatë AKP-në.

Beta, AP

Në përgjigje të akuzave për korrupsion Erdogani ka larguar nga puna mijëra policë, gjykatës dhe prokurorë, që konsideroheshin si pasues të Gylenit. Javën e kaluar ai bllokoi twitterin, për të penguar përhapjen e zbulimeve të reja. Të enjten (27.03.) Erdogani e bëri realitet kërcënimin dhe mbylli edhe platformën e videos, YouTube. Mështetësit e tij shohin në këto hapa masa të domosdoshme për të mbrojtur shtetin, kundërshtarët e tij shohin sulme ndaj demokracisë dhe shenja frike të një politikani, që udhëheq në mënyrë gjithnjë e më autoritare.

Fethi Acikel, profesor i shkencave politike në Universitetin e Ankarasë, sheh pas qëndrimit të ashpër dhe polarizues të Erdoganit një strategji të llogaritur mirë. Që prej protestave në Gezi verën e kaluar kryeministri është përpjekur që me ndihmën e “tensioneve të kontrolluara” në shoqëri të arrijë qëllimin e tij, një sistem të ri presidencial në Turqi, thotë Acikel për Deutsche Wellen.

Në vend të presidencës aktuale relativisht të dobët politikisht Erdogan kërkon të kalojë në një sistem sipas modelit francez apo amerikan, ku të jetë vetë në krye.

“Prandaj këto zgjedhje janë në një farë mënyre një referendum pro apo kundër politikave nepotike, korruptive dhe autoritare të AKP-së”, thotë Acikel.

Përgjigja e kësaj pyetjeje lidhet ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës. Sipas anketimeve AKP do të marrë ndërmjet 35 dhe 45 për qind, për shkak se ajo e ka ende mbështetjen e bazës së saj konservatore. Kjo do të thoshte, që ajo mbetet partia më e fortë, por në krahasim me zgjedhjet e parlamentare të vitit 2011, kur ajo fitoi gati 50 për qind, do të humbasë vota. Erdogani e konsideron çdo rezultat, që është mbi rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 si sukses, atëherë partia e tij arriti në 38.8 për qind.

Nëse AKP bie nën këtë prag dhe humbet edhe qytete të rëndësishme si Ankaraja, apo Stambolli, Erdogani nuk do t’i realizojë dot ambiciet për president. Kundërshtarët e tij e dinë këtë dhe bëjnë thirrje në internet, që të gjitha votat e opozitës të përqendrohen te kandidati i CHP-së Sarigül.