Zgjedhjet lokale kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave nga rajoni dhe atyre nga bota, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”, teksa raporton për situatën në përgjithësi, thekson se këto zgjedhje do të jenë çelësi kryesor për të filluar bisedimet e integrimit në BE.
“Shqipëria sot mban zgjedhjet lokale, një çelës kryesor për të filluar bisedimet për integrim në BE”, shkruan ajo.
Ndërsa në brendësi përmendet edhe shifra e votuesve, si dhe vihet theksi tek gara e Tiranës, të cilën “Associated Press”, e cilëson si më të rëndësishmen e këtyre zgjedhjeve.
Edhe mediat e tjera ndërkombëtare kanë raportuar rreth zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri.
Agjencia italiane e lajmeve, “Ansa”, shkruan se kjo është hera e parë që shqiptarët votojnë pas aprovimit të reformës territorial, e cila ka reduktuar komunat nga 373 në 61, si dhe thekson se zgjedhjet janë një test shumë i rëndësishëm për integrimin në BE.
Ndërkohë, edhe televizioni tjetër amerikan “Fox News” ka pasqyruar ngjarjen.
“Fox News” raporton se rreth 3.4 milionë shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Ky televizion nënvizon se beteja më e rëndësishme është ajo e Tiranës mes Halim Kosovës dhe Erion Veliajt. Ndërkaq, përmend edhe faktin se në këto zgjedhje në Shqipëri do të jenë prezent 300 vëzhgues ndërkombëtarë. /Shekulli/






