Ky varr i cili njihet me emrin “Varri i Arllatit” ka më shumë se 100 vite që gjendet në Bjeshkët e Rancit të Caralevës së komunës së Shtimes dhe deri më tani nuk është ditur se kujt i takon.
Madje edhe vet emrin “Varri i Arllatit” nuk dihet saktë se nga e ka marrë. Këtë nuk e dinë as vetë banorët e këtij fshati, për të cilët gjatë tërë këtyre viteve ka qenë një mister, se i kujt është ky varr.
Por, tani plot 105 vjet pas, siç duket kjo enigmë ka marrë fund. Murat Bujupi nga fshati Arllat i Drenasit, pretendon se ky varr i takon stërgjyshit të tij, Sherif Bujupit. Madje, ai me të gjetur këtë varr ka vendosur shenja identifikuese me emrin e të ndjerit përmbi, në mënyrë që të mos humbet më.
Murat Bujupi tregon historitë që i ka dëgjuar nga të parët, ku thuhet se Sherif Bujupi në vitin 1910 ka qenë i thirrur nga Isa Boletini të marrë pjesë në një luftë kundër ushtrisë turke në bjeshkët e Caralevës, ku ka rënë dëshmorë. Me këtë rast, bashkëluftëtarët e tij e kanë varrosur atë 100 metra më poshtë vendit të fushëbetejës me qëllim që t’ia humbin gjurmët dhe të mos e gjejnë turqit.
Që nga atëherë familja Bujupi e ka konsideruar si të zhdukur Sherifin, por asnjëherë nuk kanë reshtur së kërkuari eshtrat e tij.
Murati tregon se deri tek ky zbulim ka ardhur pasi ka lexuar librin “Monografi e Caralevës” të veteranit të arsimit Bajram Bajramit, ku shkruhet edhe për ekzistencën e “Varrit të Arllatit” dhe disa fakte mbi të.
“Në bazë të dëshmive të cilat i kemi dëgjuar nga babi i Sherifit Muj Bujupi nga Arllati se babai i babagjyshit tim është vrarë në Caralevë në luftën Turko-Shqiptare në luftën 1910. Mirëpo, deri më sot ne kemi tentuar ta gjejmë varrin se ku gjendet,por s’kemi mundur edhe për shkak të rrethanave politike që kanë ekzistuar para luftës, ka mbetur deri në ditët e sotme. Do të thotë është vrarë para 105 viteve. Mirëpo, pas luftës kemi tentuar prapë dhe kemi ardhur deri te ajo kur na ka rënë në dorë një libër, një monografi e fshatit Caralevë, të cilën e ka shkruar veteranii arsimit Bajram Bajrami. Përmes atij libri jemi orientuar dhe kemi ardhur te mësuesi Bajram. Ai na ka treguar se gjendet një varr në bjeshkët e Rancës, që Caraleva e ka quajtur ‘Varri i Arllatit’. Më ka treguar vendin dhe kemi ardhur së bashku me mësuesin Bajram dhe e kemi gjetur varrin që pretendojmë që është varri i stërgjyshit tim Sherif Mul Bujupit”, tha Bujupi.

Edhe pse nuk i është bërë ende ADN-ja eshtrave që gjinden në këtë varr, Murati është i bindur plotësisht se në bazë të të dhënave që posedon, ky varr është i stërgjyshit të tij.
“Me siguri derisa u bë një luftë e rreptë, një luftë shumë e madhe në mes forcave turke, atëherë ka edhe të vrarë të tjerë, mirëpo i vetmi varrë që dëshmohet se është i Sherfi Bujupit është ky varr. Varre tjera nuk ka… ky është vrarë fyt me fyt me forcat turke, në një lendinë 100 metra mbi këtë varrë, mirëpo nuk e kanë varrosur shokët e tij aty dhe e kanë varrosur këtu për t’i humbur gjurmët e varrit”, tha ai.
Tani ai e ka hallin se si t’i zhvendos eshtrat në fshatin tyre, pa e bërë ADN. Ai tregoi se ka kontaktuar me Mjekësinë Ligjore në Prishtinë por përgjigjja e tyre ka qenë se ata nuk bëjnë ADN të eshtrave që kanë vjetërsi aq të lartë.
“Nuk kemi kontaktuar, nuk e kam ngritur këtë çështje tek asnjë institucionet, përveç që kam pyetur në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe ata më kanë thënë se nuk e bëjnë ADN-në e skeletit apo eshtrave që kanë vjetëri aq të lartë dhe nuk më kanë treguar se kush merret me këtë… Ne nuk do të kërkojmë ndihmë, përveç që të bëjmë analizën e ADN-së sepse ne nuk e dimë se ku bëhen, përderisa nuk bëhen në Kosovë ne nuk e dimë se ku bëhen dhe nëse janë të kushtueshme ne nuk kemi mundësi t’i bëjmë. Nëse janë të interesuar dikush nga institucionet atëherë le të urdhëron”, shtoi Bujupi.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë për KosovaPress se ky departament kryen punë vetëm për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërsa, për raste më të vjetra nuk kanë fondacione.
Në këto raste, familjarët sipas Gërxhaliut duhet të bëjnë analiza jashtë vendit me vetëfinancim, sepse Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk ka ndonjë interes të krijojë fonde për raste të tilla.
Tek e fundit, sipas tij, pasi që ata janë shumë të sigurt që janë eshtrat e tij, ata do ta bëjnë rivarrimin në varrezat e fshatit Arllat edhe pa një analizë të tillë dhe pa ndonjë ceremoni.






