Kriza mes Rusisë dhe Ukrainës po njeh vetëm përshkallëzime, pas ultimatumit të fundit të lëshuar nga Rusia për dorëzimin e forcave ushtarake ukrainase në Krime, në të kundërt do të përballeshin me sulm frontal deri në 03:00 të mëngjesit të së martës.
Vitali Churkin, i dërguari i Rusisë në OKB, ka bërë të ditur se presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Yanukovych i ka dërguar një letër presidentit rus, Vladimir Putin, ku i ka kërkuar ndihmë dhe përdorimin e forcave ushtarake në Ukrainë, për të rivendosur atje legjitimitetin, paqen, sigurinë e rendin.
Ndërkohë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se njerëz të armatosur kanë marrë kontrollin e linjës së trageteve mes Rusisë e Krimesë dhe, sipas citimit të “Reuters” të rojes bregdetare ukrainase, këta persona janë ushtarë rusë të cilët po sjellin përforcime të tjera ushtarake.
Ndërkohë, në Neë York të SHBA-ve është mbledhur Këshilli i Sigurisë së OKB-së, për të diskutuar mbi krizën mes këtyre dy vendeve, si dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë,
E dërguara e SHBA-ve në OKB, Samantha Poëer, nga ana e saj ka bërë të ditur se “nuk ka asnjë provë” se rusët etnikë apo qytetarët rusisht-folës në Ukrainë janë të kërcënuar. Moska ka theksuar vazhdimisht se rusët etnikë janë të rrezikuar tashmë që regjimi i Yanukovych ka rënë, ndaj dhe ka marrë hapat e fundit për të mbrojtur qytetarët e vet.
Ndërsa nga kampi ukrainas, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ihor Tahyukh, ka theksuar se rreth 16 mijë trupa të shërbimit rus janë aktualisht në territorin ukrainas, sipas raporteve të agjencisë së lajmeve ukrainase “Interfax”, e cila shton se sipas ministrit, rreth 5500 trupa ruse për qëllime speciale janë rivendosur në Ukrainë.
Në një intervistë për CNN, ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, i ka bërë thirrje botës të “përdorë të gjitha rrugët e mundshme për të shmangur humbjen e Krimesë nga ana e Ukrainës”.
NATO pritet të zhvillojë diskutime emergjente mbi Ukrainën gjatë së martës, pasi Polonia kërkoi mbajtjen e konsultimeve, sipas një deklarate të publikuar në faqen e tyre në ëeb.
“Departamenti amerikan i Shtetit po përgatitet për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe po ecën drejt kësaj rruge”. Kështu ka shkruar në profilin e tij në Tëitter, Mark Mardell, korrespondenti i BBC-së për çështjet e Amerikës së Veriut.
Nga ana tjetër, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton tha se “organizata po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa zv/presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëroi kryeministrin rus, Dmitriy Medvedev “për të shtuar izolimin politik dhe ekonomik, nëse Rusia nuk lëviz për të zgjidhur situatën e krijuar”.
Michael Men, zëdhënësi i Catherine Ashton tha se ajo do të takohet të martën me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe të mërkurën do të udhëtojë drejt Kievit.






