Home Aktuale Tiranë: Mbahet seminari”Zhvillimi profesional i mësuesve nga Lugina e Preshevës”

Tiranë: Mbahet seminari”Zhvillimi profesional i mësuesve nga Lugina e Preshevës”

1403
0
SHARE

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, dje, përfundoi me sukses seminari dy ditorë për ngritje profesionale për mësimdhënësit e shkollave shqipe të Luginës së Preshevës, raporton Lugina Press.

Tirana gjatë vikendit 3 dhe 4  mars tuboi mësimdhënësit shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës  në seminarin me qëllim të ngritjes  profesionale të tyre.

Seminarin me temën: “Zhvillimi profesional i mësuesve nga Lugina e Preshevës-kultivimi i vlerave kombëtare”, e ka organizuar Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq në seminar kanë marrë pjesë rreth 90 mësimdhnës të trevës së Luginës së Preshevës nga fusha e gjeografisë, muzikës, artit, historisë dhe mësues të grupit klasorë.

Tema si :”Gjeografia dhe kontributi i saj për edukimin e vlerave kombëtare dhe qytetare”, ” Mësimdhënia me në qendër nxënësin në gjeografi dhe roli i saj për zhvillimin e identitetit kombëtar” , ” Muzika kombëtare, përfaqësues dhe vepra muzikore”, ” Metodologji të mësimdhënies lidhur me muzikën” , “Arti kombëtar “, ” Veshjet popullore shqiptare u shtjelluan për pjesëmarrësit nga  emra të njohur të fushës si:  Prof.Dr. Albana Kosovrasti, PHD.Majlinda  Hala , specialite e kurrikulës, Evis Mastori,  PHD Silavana Nini, prof Afërdita Onuzi.

Gjithashtu, mësimdhnësiit e Luginës  patën mundësinë të ndajnë me kolegë të tyre në Shqipëri përvojat dhe eksperiencat si dhe sfidat me të cilat ndeshen ata në punën e përditëshme.

Ndërkohë pjesmarrësit në trajnim u përshëndetën nga drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nga Zamira Gjini, Drejtoreshë e  Drejtorisë së Programeve.

Zamira Gjini ,  në fjalën  e saj  përcolli urimet e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj, Lindita Nikolla si dhe shprehu mbështetjen për mësuesit e Luginës së Preshevës.

 

Në përfundim të trajnimit mësuesit plotësuan edhe një pyetsor, ku një zëri shprehën mirënjohje dhe vlerësime për aktivitetin si dhe sugjeruan zhvillimin e aktiviteteve të tilla edhe  në të ardhmen, trajnime interaktive dhe praktike.

Mësimdhënësit nga Lugina, gjithashtu, përveç përvojës së arritur në fushën e misionit të tyre prej edukatori, ata u pajisën edhe me nga një Certifikatë, për pjesëmarrjen në trajnimin: “Zhvillimi profesional i mësuesve të Luginës së Preshevës në fushat e gjeografisë, artit dhe muzikës për ruajtjen, zhvillimin dhe kultivmin e vlerave kombëtare ”, të firmosura nga Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë e që i shpërndau Besnik Q Rama specialist në MASR.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës i mirëpresin trajnimet e tilla zhvillimore në fushën e arsimit dhe në fushat tjera të veprimtarive me interes qytetar e kombëtar, të organizuara nga Shqipëria, me shpresë se nisma të  tillë, në të ardhmen, nuk do të mungojnë as nga Republika e Kosovës./Lugina Press/