Home LAJME Studentët kosovarë me mundësi studimi në SHBA

Studentët kosovarë me mundësi studimi në SHBA

668
0
SHARE

Studentët e universiteteve publike të Kosovës do të marrin pjesë në një nga programet më të mëdha të shkëmbimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Fulbright”.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë për pjesëmarrje në programin Fulbright.

Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës vlerësoi këtë bashkëpunim si mundësi për zhvillimin e institucioneve përmes përvojave të studentëve në SHBA.

“Ne në qeveri kemi marrë zotimin tone se ne do të përkrahim edhe për vitet e ardhshme këtë program i cili do të i’u mundësojë tës tudiojnë në nivele të ndryshme të studimeve në SHBA dhe që këto kuadra pastaj t’i kontribojnë edhe zhvillimit të institucioneve tona”, tha Mustafa.

Ndërkaq Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës tha se me këtë rast, studentëve kosovarë po u mundësohet një ekperiencë e barabartë me kolegët e tyre nga vende të ndryshme të botës.

“Kjo është pjesa më e bukur edhe e investimit të vetë Republikës së Kosovës në ju [studentët] për të ju krijuar mundësi që të jeni konkurrues me të gjithë gjeneratat e juaja në të gjitha vendet më të zhvilluara perëndimore që përmes jush pastaj të bartet një dije, një ekperiencë e marrë në një vend i cili është trualli i demokracisë,” u shpreh Veseli.

Programi “Fulbright” në Kosovë ka filluar të funksionojë që nga viti 2009 ku kanë marrë pjesë rreth 84 studentë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tregoi rreth ekipit të mëhershëm të studentëve në këtë program që sipas tij po vazhdon të sjellë frymë bashkëpunimi.

“Jam krenar me fituesit e ‘Fulbright’-it nga Kosova sepse ata i kanë mundësuar ndryshime pozitive këtu në shtëpi, në qeveri dhe në botën akademike. Po ashtu më gëzon fakti se fituesit e ‘Fulbright’ nga SHBA-të kanë mbajtur lidhje të forta me Kosovën,” tha Delawie.

Ndërsa Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, u zotua për përpjekje të mëtutjeshme për krijim të kuadrove cilësorë në fushën e arsimit të lartë.

“Ne do të punojmë me të gjitha forcat që kemi, me të gjithë rektorët e universiteteve, me të gjithë profesorët, studentët që të krijojmë në vendin tone një arsim cilësor, konkurrent, një arsim që nesër do të mundësojë që ne të kemi një gjeneratë të aftë që do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe do të marrë përsipër të ardhmen e Kosovës,” u zotua Bajrami.