Home Aktuale Shtëpi të reja në Atdhe ndërton edhe gjenerata e tretë

Shtëpi të reja në Atdhe ndërton edhe gjenerata e tretë

758
0
SHARE

Aty ku ndërtohet një shtëpi pritet një jetë më e mirë, apo thënë më thjesht – aty ka jetë. Aty ku ka plot thera, aty nuk ka jetë, as bilbilat nuk këndojnë. 

Foto dhe teksti: Dashnim HEBIBI

Jo vetëm në Preshevë, por edhe nëpër qytete të ndryshme të Atdheut tonë, në muajin korrik dhe gusht, kanë filluar të ndërtohen shumë shtëpi. Disa prej tyre nga themeli, nga një truall që nuk ka pasur shtëpi, e disa të tjera duke i prishur shtëpitë e mëhershme. Edhe pse ndoshta shtëpia që e shihni në foto nuk ishte edhe aq e vjetër, bashkatdhetarët tanë duan kushte të tjera jetësore, me standarde evropiane, e jo sikur ato para katër dekadave.  Më bëri përshtypje kjo që bëri bashkatdhetari Rrahman Jahiu nga Strezoca e Preshevës, i cili jeton dhe vepron me familjen e tij në rrethinën e Solothurnit.

sh

 Pas dy shtëpive të tjera që i ka përgatitur para disa vjetëve, ai tash ka filluar dhe po e ndihmon djalin e tij të vogël, Burimin, që ta përgatisë një shtëpi të re. Zoti Jahiu po e përcjell punën që po bëhet në atdhe, ndërsa djali i tij, Burimi, normalisht se është dashur të kthehet në Zvicër e të punojë. Ai na tha se është shumë i lumtur që edhe gjeneratat e reja po ndërtojnë shtëpi, duke investuar në Atdhe. «Kjo jep shpresë se herë do kurdo ata do të kthehen te vendi i të parëve, edhe pse është paksa e vështirë. Këtë shtëpi e kam ndërtuar unë dhe i rrita djemtë e mi dhe vajzën time.

 sh1

Por, kur u rritën fëmijët dhe u martuan, patjetër se duhej të zgjeroheshim për të mirë. Kështu, tash edhe djali im i vogël po e ndërton shtëpinë e re, duke e rrënuar të vjetrën. Paksa kam mall, gjë që është normale, por po bëhet për të mirë dhe për një shtëpi më të mirë se kjo. Edhe këtu ka mjete teknike, që po e rrëzojnë pa asnjë problem. Projektin e ka bërë djali im dhe besoj se do të dalë mirë», na tha, ndër të tjera, ai për dialogplus. Shumë mërgimtarë kanë blerë edhe banesa në Preshevë dhe po blejnë vazhdimisht, e këto janë sinjale pozitive se të rinjtë mërgimtarë e shohin një të ardhme më të mirë në vendin e të parëve të tyre.

sh2

 Vetëm sivjet janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër mbi 60 shtëpi në Preshevë dhe rrethinën e saj, shumica e të cilave janë të mërgimtarëve. Këto të dhëna i morëm nga disa firma që e përgatitin çimenton për pllakat e shtëpive. E mërgimtarët nuk po pushojnë duke investuar në Atdhe, kurse, në anën tjetër, u krijojnë mundësi punëtorëve për të punuar, kur dihet se shteti serb ende nuk ka investuar në hapjen e ndonjë fabrike, apo gjiganti tjetër ekonomik për ta zbutur papunësinë e madhe që po mbretëron në Preshevë.