Shqipdona Mazari është vajza bukuroshe dhe talente e dëshmorit të lirisë dhe komandantit të mirënjohur Nuri Mazari – Komandant Struga, e cila me recitalin e saj ka mbushur me lotë gjithë sallën në akademinë përkujtimore në Strugë.
Ajo ishte protagonistja më e çmuar e këtij manifestimi bashkë me familjarët dhe miqtë më të afërt dhe shokët e luftës të Nazarit, përveç atyre që ishin aty me petkun e politikanëve, informon INA.
Shqipdona me recital ka shkëlqyer, por ajo përmes vargjeve ka drejtuar gishtin tek protagonistët e politikës që të flasin se cili është misteri i vrasjes së babait të saj dhe se dikush duhet të jap llogari dhe përgjegjësi.
Në Strugë vazhdon zvarritja e vendosjes së përmendores së Nuri Mazarit, ish-komandant Struga të UÇK-së, për shkak të barrierave të ndryshme institucionale.
Që kur ka filluar ndërtimi i bazamentit të përmendores së Nuri Mazarit-Komandant Struga, buzë lumit Drini i Zi në qendër të Strugës, ka pasë një varg reagimesh ndër partitë politike maqedonase që me fillimin e punimeve. Kundër përmendores kanë sjellë vendime edhe Gjykata e Strugës si dhe Avokati i Popullit.
Tani për tani autoritetet komunale janë të pafuqishme për të zbatuar në praktikë vendimin e 10 tetorit të vitit 2006. Nuri Mazari u vra në korrik të vitit 2005 në fshatin e tij në Dollogozhdë pas një incidenti midis fshatarëve. Ai ishte një nga luftëtarët e luftës së Kosovës dhe më pas në Maqedoni. (INA)








