Të premten në Preshevë dhe të shtunën në Bujanoc përkatësisht më 12 dhe 13 qershor 2015 u bë promovimi i filmit artistik “Rruga drejt së vërtetës” , produksion i Shoqatës Kulturore “DITURIA”, nën regjinë e Enver Halimit.
Filmi ka motive religjioze islame. Islami shfaq të vërtetën universale, pjesë e asaj të vërtete është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit. Filmi paraqet përshtypjet dhe bindjet e agjërimit ndër shqiptarët. Drejtori i Shoqatës Kulturore “Dituria” Mr. Nexhmedin Ademi, në mes tjerash theksoi: “Ky prodhim filmik me metrazh të shkurtër është një sfidë për Shoqatën. Ne po mundohemi që përmes artit të kinemotagrafisë të përcjellim vlera pozitive që përmban kultura fetare si pjesë e identitetit nacional të popullit shqiptarë”.
Me këtë rast të pranishmëve iu drejtua edhe regjisori i filmit z. Enver Halimi, i cili paraqiti përshtypjet e tij gjatë realizimit të këtij projekti.
Pas shfaqjes së premierës në Preshevë dhe Bujanoc nga organizatori u shtrua një koktej rasti.
DITURIA këtë vit ka realizuar disa aktivitete kulturore. Në radhë është botimi i revistës informative, kulturore, shkencore “FRESKIA”, botim ekskluziv për muajin e bekuar të Ramazanit. Shoqata synon që kjo revistë të botohet edhe në të ardhmen.















