Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme, zëvendësministri Selimi vlerësoi se kjo vizitë e delegacionit të shoqërisë civile qipriote në Kosovë është e rëndësishme dhe se ky lloj shkëmbimi përbën thelbin e diplomacisë publike të Ministrisë së Jashtme dhe se do të nxisë interaksionin mes qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës me ata të vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Vizita është organizuar në kuadër të projektit KSTalksEU që synon rritjen e interaksionit në diplomaci publike, kulturore dhe parlamentare të institucioneve, aktivistëve dhe shoqërisë civile kosovare me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, projekti KSTalksEU tashmë ka mundësuar shkëmbimin e mbi 150 diplomatëve, gazetarëve, aktivistëve dhe deputetëve nga Kosova dhe 5 shtetet e BE-së në dy vite e gjysmë të fundit, ndërsa vitin e shkuar ka mundësuar dërgimin e një delegacioni të shoqërisë civile kosovare në Greqi dhe Rumani, kurse priten edhe vizita të tjera në këto shtete.






