Profesori i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, Adnan Simnica, ka pasuruar fondin e literaturës islame me tre botime të reja “Reflektime Kuranore”, kushtuar komentimit të sureve Ja Sin, Es-Saffat dhe Fussilet.

Këto botime përmbledhin 855 faqe dhe janë rezultat i një pune të gjatë studimore, të mbështetur në më shumë se 105 burime shkencore, prej të cilave mbi 90 janë tefsire të njohura të Kuranit, që nga periudha e hershme islame deri te studiuesit bashkëkohorë të Ehli Sunetit.

Përmes këtij botimi, prof. Simnica sjell reflektime, analiza dhe shpjegime të thelluara mbi mesazhet kuranore, duke u bazuar në traditën autentike të komentimit të Kuranit dhe duke i afruar ato më pranë lexuesit shqiptar.
Autori ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, studiuesit, familjarët dhe miqtë që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti me rëndësi shkencore dhe fetare.
Tre librat e reja mund të gjenden në Librarinë “Jeta” dhe Librarinë “Sira” në Prishtinë.
Ky botim paraqet vazhdimin e një projekti të rëndësishëm që synon të kontribuojë në përhapjen e dijes islame dhe në studimin më të thellë të Kuranit Fisnik.
Botimi i këtyre tre librave ka ardhur pas botimit të pesë sosh vitin e kaluar./Lugina Press/






