Home Aktuale Policët bullgarë “rrjepin” kamionxhinjtë nga Maqedonia

Policët bullgarë “rrjepin” kamionxhinjtë nga Maqedonia

785
0
SHARE

Shoferët e kamionëve apelojnë që për këtë situatë të marrë vesh edhe ambasada bullgare në Shkup, me qëllim që të shihet se çfarë ndodhë me policinë e tyre brenda territorit bullgar, ku ende vazhdon korrupsioni i madh

Dhjetra shoferë të automjeteve transportuese që transportojnë mallra nga Turqia për në Maqedoni dhe anasjelltas shprehin ankesa të mëdha për korrupsionin e madh të policëve bullgarë. Në disa lokacione në autostradën dhe rrugët e tjera magjistrale nëpër territorin bullgar, patrulla të policisë bullgare kanë në shënjestër kamionxhinjtë, duke i kërkuar mito, vetëm e vetëm për ti lejuar për të vazhduar rrugën. Shoferët shprehin ankesa të mëdha se si policia e një vendi anëtarë të BE-së të veprojë në këtë mënyrë dhe të jetë e përfshirë akoma thellësisht në korrupsion të egër. “Janë disa pika ku ata na presin çdo ditë, duke na kërkuar nga 5 euro e më shumë. Ata janë mësuar të veprojnë në këtë mënyrë dhe ende habitemi se si një vend anëtarë i BE-së të veprojë në këtë mënyrë, duke u përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar”, thekson Nexhat.H, shofer i një kamioni që transporton mallra ndërtimtarie dhe çimento nga Turqia për në tregun e Maqedonisë.

Fatin e tij të njejtë e përshkruajnë edhe shoferë të tjerë, të cilët për çdo ditë e kalojnë këtë destinacion. Ata apelojnë që për këtë situatë të marrë vesh edhe ambasada bullgare në Shkup, me qëllim që të shihet se çfarë ndodhë me policinë e tyre brenda territorit bullgar, ku ende vazhdon korrupsioni i madh. Për dallim nga bullgarët, autoritetet turke respektojnë të gjitha rregullat, duke respektuar dhe duke shmangur çdo keqpërdorim me transportuesit që tregtojnë mallra të ndryshme.

Shoferët e kamionëve theksojnë se mediat duhet të shqyrtojnë sidomos korrupsionin e vazhdueshëm që po vazhdon nga policia bullgare dhe se sipas tyre, Bashkimi Evropian duhet të interesohet për keqpërdorime të tilla. “Në rast se vazhdon ata në këtë mënyrë të intensifikojnë grabitjen tonë, atëherë jemi të detyruar të reagojmë drejtpërdrejt në ambasadë, por edhe në zyrën e BE-së në Shkup”, kanë theksuar shoferët e kamionëve. (INA)