Situata politike në vend po e çon shtetin drejt falimentimit në të gjitha sferat e jetës në Kosovë.
Ka muaj të tërë që ndërmarrje publike dhe institucione me rëndësi vitale të shtetit janë jashtë funksionit. Në mesin e këtyre institucioneve jofunksionale vazhdon të mbetet pushteti gjyqësor, raporton KTV.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka mundur të bëjë asnjë hap për të administruar si duhet dhe për të ndërtuar kapacitetet për ofrimin e drejtësisë për qytetarët, si rezultat i mungesës së kuorumit.
Kryesuesi i këtij këshilli, Enver Peci, thotë se gjendja aktuale është shumë shqetësuese, pasi nuk po mund të marrin asnjë vendim.
Sipas tij, kjo periudhë ka bërë që të rritet edhe shkalla e kriminalitetit në vend dhe njëkohësisht duke ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve nëpër gjykata, ndërsa, gjyqësia vazhdon të mos mund të merret me këto raste.
Organizatat që monitorojnë punën e sektorit të drejtësisë thonë se kjo është një ndërhyrje tjetër që i bëhet këtij sektori nga politika, përcjell koha.net.
KTV-ja ka provuar të vërë kontakt me ndonjërin nga drejtorët e këtyre agjencive, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.