Me 71 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komisioni funksional dhe komisionet e përhershme janë obliguar qe ta shqyrtojnë projektligjin dhe t’i dërgojnë kuvendit rekomandimet me shkrim. Të gjitha subjektet politike e kanë përkrahur projektligjin, duke thënë se është shumë i nevojshëm për përmirësimin e jetës së veteranëve të UÇK-së.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur para deputeteve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ky projektligji është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit dhe është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Thaçi, ka theksuar se ky projektligj parasheh statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk duhet ti gëzojnë benefitet e njëjta veteranët të cilët kanë pozita të ndryshme në shoqëri, në krahasim me ata të cilët nuk kanë asnjë vend punë. Krasniqi ka shtuar se komisioni përkatës duhet që sa më parë ta bjerë numrin e atyre që kanë luftuar dhe që vërtetë jetojnë në kushte të vështira, në mënyrë që t’i marrin mjetet dhe ta përmirësojnë sado pak jetën e tyre.
Salihe Mustafa, deputete e PDK-së, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së është i angazhuar që ky projektligj të amendamentohet dhe sa më shpejtë të miratohet në leximi e dytë në Kuvend.
Anton Çuni, deputet i LDK-së, ka thënë se ligji për veteranët e UÇK-së duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ai ka shtuar se LDK-ja e përkrah në parim projektligjin, mirëpo ka kërkuar që në nenin 3, krahas komandave të zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm, të radhitet edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës si një ndër akterët e rëndësishëm të organizimit, mobilizimit, mbështetjes dhe ekzekutimit të operacioneve për çlirimin e territorit të Kosovës.
Kurse, Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, edhe pse e ka mbështetur projektligjin, ka thënë se Qeveria tash në fund të mandatit e ka sjell në Kuvend. Ai ka thënë veteranët po kthehen në mjet elektoral të qeverisë.
“E njëjta qeveri ka qenë në pushtet që nga viti 2007 dhe asnjëherë nuk e ka sjell këtë ligj të veteranëve me gjithë kërkesat e tyre”, ka thënë Selimi.
Edhe Time Kadrija nga AAK, është shprehur se projektligjin do ta mbështesin. Ajo ka treguar që shkaku i mos trajtimit adekuat të veteranëve të UÇK-së, që nga paslufta janë rreth 50 raste të vetëvrasjeve të tyre.
Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdoj edhe nesër. /Telegrafi/