MREKULLIA E ISRASË DHE MIRAXHIT
Sot, në Pallatin e Kulturës në Bujanoc, në organizim të Këshillit të Bashkësisë Islame, u mbajt manifestimi fetar me rastin e përkujtimit të “Israsë dhe Miraxhit”.
Salla e madhe e Pallatit të Kulturës ishte e mbushur përplot me pëfaqësues të institucioneve lokale, arsimore dhe nga shoqëria civile.
Manifestimin e konsideroi të hapur Bejtulla Bejtullahu, kryetar i KBI për Bujanoc, i cili pasi përshëndeti pjesëmarrësit e këtij manifestimi fetar, I njoftoi të pranishmit se programi do të zhvillohet i reduktuar për shkak shpalljes së zisë në Serbi, duke hequr nga agjenda ilahitë dhe recitimet. Më pas fjala iu dha Hafëz Orhan Ademit për të lexuar pjesë nga Kur’ani.
Në vazhdim manifestimin e përshëndeti kryetari i BIPBM-së, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, i cili në pika të shkurta paraqiti rolin dhe rëndësinë që ka manifestimi kushtuar përkujtimit të “Israsë dhe Miraxhit”. Ai, në veçanti përshëndeti praninë e ligjëruesit nga Maqedonia dr. Zekirja Bajrami, imam në xhaminë “Jahja Pasha” në Shkup, i cili me praninë e tij e madhështoi manifestimin fetar.
Ndërkaq në emër të Kryetarit të Komunës së Bujanocit të pranishmit i përshëndeti Shefi i kabinetit Arbër Pajaziti.
Ligjëruesi nga Shkupi dr. Zekirja Bajrami, fillimisht u ndal te domethënia e fjalës Isra, që nënkupton një ngjarje me të cilën Zoti e nderoi Profetin e Tij, duke e dërguar Brenda një nate nga Qabja në xhaminë Aksa në Kuds (Jerusalem). Ndërsa për Miraxhin, tha, se është një udhëtim tjetër, ngritja në katet e qiejve të lartë dhe arritja tek një pikë ku s’kishte arritur asnjë krijesë tjetër, melekë, xhinde apo njerëz, e mandej kthimi në Mekë Brenda pot ë njëjtës natë. Në vazhdim profesori foli edhe për mënyrën e faljes së namazit, siç falej profeti Ibrahim, pastaj edhe për shumë përparësi dhe të mira që sjell feja Islame në shoqërinë tonë.
Lidhur me shpalljen e zisë në Serbi, profesori e luti Zotin, që t’i ndihmoj njerëzit e dëmtuar nga vërshimet dhe përmbytjet e shiut, duke apeluar për bashkim humanitar në këto momente të vështira, në të cilën po kalojnë rajonet e prekura nga këto katastrofa natyrore.
Ligjërata e profesorit Zekirja u përcoll me një interesim të madh nga të pranishmit e veçmas rrëfimi për “hajrin” dhe mbretin me një sy.
Pas përfundimit të manifestimit fetar kushtuar natës së madhe të “Israsë dhe Miraxhit”, prof.dr. Zekirja Bajrami vizitoi selinë e shoqërisë civile “Perspektiva” në Bujanoc, me të cilët bisedoi për shumë probleme me të cilat përballet shoqëria jonë./Lugina Press/











