Home Aktuale Lugina e Preshevës – qetësia përpara furtunës!

Lugina e Preshevës – qetësia përpara furtunës!

820
0
SHARE

Deklarata e të parit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në “Indeksonline”, se e paska “tmerruar qetësia e Luginës për korrigjim e kufijve”, ka zgjuar reagimin e menjëhershëm të Nexhmedin Saqipit, koordinatorit të shoqërisë civile për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili një konstatim të tillë e ka vlerësuar të ngutshëm, të pamatur dhe të papjekur politikisht.

Ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka vdekur dhe nuk është pasivizuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkundrazi ajo gjallëron dhe vepron, për dallim nga disa përfaqësues të skenës politike të kapur nga kthetrat e pushtetit djallëzor të Beogradit dhe nga disa qarqe politike të Prishtinës, të verbuar nga smira dhe inati i kundërshtarëve të presidentit Thaçi, vetëm pse,ai, është kumbara i kësaj iniciative.

“Nuk është aspak e ndershme dhe aspak e logjikshme kur thotë nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, se në Luginë të Preshevës, ekziston një qetësi karshi idesë për korrigjimin e kufijve, a nga ana tjetër trumbetonte se, ai, ishte shumë më herët se të tjerët për korrigjim të kufijve me Serbinë, për faktin se këta kufij çfarë janë si të tillë janë problematik dhe prodhojnë jostabilitet”, thotë për Jetapress, koordinatori Nexhmedin Saqipi.

Në vazhdim të reagimit të tij, koordinatori Saqipi, nuk la pa komentuar edhe konstatimin e kryetarit Haziri, kur thotë për “Indeksonline”, se “Politikanët e këtyre tri komunave thonë se nuk duan të bëhen pengesë e perspektivës së Kosovës, nëse mundemi me u kapërcye në dyer të vogla, si proces të zgjidhet nëse jo, prapë mirë”. Këtij vlerësimi do t’ia shtojmë thënien e Ismail Qemajlit, i cili para 100 vjetësh thoshte “Fati i popujve të vegjël, kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha”, apo jo?!

“Ne duke u thirrur në atë se nuk duhet të bëhemi pengesë për proceset politike në Kosovë, duke mos ngritur zërin politik, po zvogëlohemi për ditë në numër të banorëve etnikë dhe po rrudhemi në territore. Shoqëria civile e Luginës së Preshevës, nuk mendon si Lutfi Haziri dhe disa politikanë të krahut të tij lindorë, rreth korrigjimit të kufijve, për deri sa ata të mos dalin me një opsion më të favorshëm se ky që është aktual. Qetësia e proklamuar e Hazirit, është përpara furtunës, që një ditë do të shpërthejnë  me përmasat e një shqetësimi, që askush nuk do ta dëshironte jo vetëm në Luginë, por edhe në rajon, nëse nuk shtrohen drejt e qëndrueshëm problemet e shqiptarëve në Serbi”, thotë me bindej të thellë koordinatori i shoqërisë civile Nexhmedin Saqipi për Jetapress.

SHARE

Facebook
Twitter