Home Aktuale Kryetari Arifi merrë pjesë në 15 vjetorin e eksodit...

Kryetari Arifi merrë pjesë në 15 vjetorin e eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës

789
0
SHARE

 Kryetari   i Komunës së Bujanocit  Nagip Arifi  sot, bashkë me kabinetin e tij ishte në Kukës, ku së bashku me Qeverinë e Shqipërisë dhe ate të Kosovës , shënuan 15 vjetorin e eksodit të kosovarëve në vitin 1999.

 Në qytetin e Kukësit me një mbledhje të përbashkët dhe aktivitete të shumta u shënua  15 vjetori i eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, të cilët nën dhunën e represionit serb u dëbuan në Shqipëri. 

Dy kryeministrat shqiptar Rama dhe Thaçi shprehën falënderime për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Hashim Thaçi tha se sot kombi shqiptar është jo vetëm i bashkuar por edhe më i sigurt. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se ëndrra e shqiptarëve është që të jenë një komb në Europën e Bashkuar.

e

“Përgjegjësia e jashtëzakonshme e jona, e imja, e Hashim Thaçit në radhë të parë, pastaj me siguri e të gjithë ministrave, po pa diskutim të gjithë deputetëve dhe jo vetëm të shumicës por edhe të opozitës është që të japim më të mirën që ëndrra që Adem Jasharin e çoi në atë flijim prej legjendash të bëhet realitet, jo më duke marrë pushkën, sepse askush nuk ja kërkon askujt jetën sot, por duke bërë me jetën tonë diçka të vlefshme, për jetën e kombit tonë dhe duke e bërë jetën tonë një kontribut të vyer për ndriçimin e mendjes dhe të rrugës së kombit tonë, sepse jemi një komb dhe ëndrra jonë është që të jemi një komb i bashkuar në Europën e Bashkuar”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama ka thënë gjithashtu se sa më të fortë të jenë shqiptarët kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi dhe aq më fortmund të mbështesim njëri- tjetrin për të mbrojtur të drejtat jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në Preshevë Maqedoni e kudo.

th

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në fjalën e të cilit dominonte falenderimi për SHBA, NATO-n, BE-në dhe të gjithë miqtë që iu gjenden Kosovës në ato ditë të vështira, veçoi:

“Falenderojmë dhe kujtoj personalisht gjithë atë angazhim të madh të qytetarëve të Kukësit, Hasit, Bajram Currit, por në të njëjtën kohë më lejoni të falenderoj dhe përshëndes edhe njeriun që në atë kohë udhëhoqi qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Kryeministrin e prapavijës së luftës së Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë në atë kohë, zotin Pandeli Majko. Natyrisht pa prapavijën e shtetit shqiptar as ne nuk do të mund të qëndronim në ballë të luftës në Kosovë dhe të fitonim atë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Duke kujtuar dëbimin masiv dhe krimet e rënda të kryera ndaj popullit tonë, nuk duhet të kultivojmë urrejtjen, por t’u bëjmë të qartë të gjithëve të vërtetën historike. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë, se populli ynë ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë, se lufta jonë ishte e drejtë, e ndershme dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë”, tha kryeministri Thaçi.

 Në aktivitetin e organizuar në Kukës, në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu mirënjohje edhe për Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Berisha, për atë që ai e cilësoi si përpjekje të përbashkët të shqiptarëve për Kosovën e pavarur.

Nga Kukësi doli edhe iniciativa që nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës, shumë shpejt të mësojnë me një tekst unik, i cili do të miratohet nga qeveritë e të dy vendeve. Nuk ka pse të ketë një libër ndryshe në Tiranë dhe në ndryshe në Prishtinë. Unifikimi do të ndodhë shumë shpejt pasi jemi në prag të një ngjarje të madhe mes dy vendeve, ka thënë ministri i arsimit të Kosovës Ramë Buja.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkoi heqjen e barrierave doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të ketë kufij mes dy vendeve tona, së pari në bashkëpunimin ekonomik, pasi do të jetë ky që do të çojë më pas në bashkimin kombëtar të dy vendeve./Lugina Press/