Home Aktuale KMDLNj: Mos bëni fushatë mbi tragjedinë e dikujt

KMDLNj: Mos bëni fushatë mbi tragjedinë e dikujt

586
0
SHARE

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) thotë se fushata për zgjedhjet e 8 qershorit 2014 ka hyrë në përfundimin e saj, ndërkaq sipas tyre, është intensifikuar fjalori më i ashpër, i cili në raste të caktuara po bëhet i dhunshëm dhe ofendues.

KMDLNj fton të gjitha subjektet që garojnë në zgjedhje të tregohen të përmbajtura dhe të mos kontribuojnë në ngritjen e tensioneve të cilat do të përshkallëzohen në ditën e zgjedhjeve e që nuk i konvenon asnjë subjekti politik.

Deri më tani, sipas KMDLNj-së, mund të thuhet se fushata ka qenë në kufij të një fushatë që i përmbahet standardeve demokratike përjashtuar disa raste ku politikanët, në vend të shpalosjes së programeve të tyre dhe ofertave konkrete zhvillimore, po e marrin rolin e hetuesve, prokurorëve dhe gjykatave duke kërcënuar me arrestime, pensionime, konfiskime të pasurive, ndryshime të menaxhmentit, spastrimeve të motivuara politikisht, “rivendosje” të rendit dhe rregullit (sipas masave të tyre) në RTK dhe oferta të tjera “ demokratike“, etj.

KMDLNj thotë se në fushatë ka interferime të panevojshme të ambasadorëve të shteteve të huaja që dëmtojnë shumë subjekte të caktuara politike ( konkretisht VV) ndërsa favorizojnë fytyra të reja!!!

KMDLNj vlerëson se të gjitha subjektet politike po përqendrohen në premtime që është vështirë të realizohen nëse kemi parasysh kontekstin politik, social dhe ekonomik në të cilën gjendet Kosova. Është pozitive se më nuk po bëhet fushatë për tema të “mëdha” politike po oferta është kryesisht e natyrës ekonomike.

“Për dallim nga herët tjera fushatat janë më mirë të organizuara, kërkesat dhe ofertat janë më të qarta dhe më të përqendruara mirëpo realizimi i tyre nuk mund të tejkalojë 50% e atyre që premtohet. Nëse edhe aq realizohen do të ishte shumë mirë. Subjektet politike PDK, AAK, AKR, VV po bëjnë fushatë më të organizuar ndërsa Nisma për Kosovën, si subjekt i ri gjithashtu po bën fushatë të mirë dhe kryesisht pozitive”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj vlerëson se LDK, si subjekti më i madh opozitar disi është vonuar në fushatë, prandaj edhe e ka ashpërsuar fjalorin mbase për ta kompensuar kohën e humbur.

KMDLNj është i shqetësuar dhe e konsideron si të papranueshme keqpërdorimin e tragjedisë së familjes Haxhiaj me ç’ rast, subjekte të caktuara politike po përpiqen të përfitojnë nga vdekja e 15 vjeçarit Fatlum Haxhiaj politikisht dhe vota duke shënjestruar partitë rivale si përgjegjëse për vdekjen e Fatlumit që është e pamoralshme dhe jonjerëzore.

“Për rastin e Fatlumit duhet të interesohet hetuesia dhe prokuroria e cila është kompetente për këtë çështje dhe ky rast nuk duhet të kalojë pa u trajtuar deri në fund. Mirëpo, ta përdorësh këtë rast në fushatë dhe për vota është e palejueshme dhe jo vetëm moralisht e dënueshme sepse, përveç se e paragjykon rastin, i pengon edhe hetimet që duhet të bëhen gjithsesi. As edhe një subjekt i vetëm serioz politik nuk do të denjonte që duke manipuluar me një tragjedi personale dhe familjare siç është rasti i familjes Haxhiaj të përfitojë vota duke keqpërdorur në mënyrë flagrante fushatën e cila i përcakton disa standarde morale dhe ligjore. Të cilat në rastin konkret po shkelen në mënyrë të paskrupullt”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së. /Telegrafi/