Home LAJME Karaçeva u shkruan ambasadorëve të vendeve të Quint’it për zgjidhjen e kontestit...

Karaçeva u shkruan ambasadorëve të vendeve të Quint’it për zgjidhjen e kontestit kufitar

1137
0
SHARE

Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaçevë thotë se është i detyruar që t`i shkruaj letër publike Samuel Zhbogarit dhe shteteve të Quint’it për të kërkuar prej tyre ndërhyrjen në zgjidhjen e kontestit kufitar në Karaqevë.

Policia e Kosovës ende nuk po patrullon në dy pikat kyçe ku ruhet territori shqiptar dhe kjo situatë e padefinuar e kufirit nuk ishte misioni as i NATO’së e as i BE’së përkujton Lenjani.

I zhgënjyer nga institucionet e Kosovës duke filluar nga presidenca, Parlamenti e Qeveria, Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaçevë ka ndërmarrë një hap tjetër senzibilizues për t’i përkujtuar shtetet e Bashkimit Evropian se vija administrative në kufirin Kosovë – Serbi është ende “bombë” e kurdisur, raporton rajonipress.

Selver Lenjani për Rajonipress tha se për muaj e vite të tëra është përkujdesur që të bind zyrtarët më të lart shtetëror që të sqarojnë njëherë e përgjithmonë kontestin kufitar në Karaqevë, por kjo nuk ndodhi as pas shumë premtimeve që morëm nga Jakup Krasniqi e zyrtarë tjerë qeveritar, deputet e ministra.

Lenjani tha se tani po e përgatit një “ofensivë” lobuese tek shtetet e Quint’it dhe vet Samuel Zhbogar për t`i ftuar ata që sa nuk është bërë vonë të ndërmarrin hapat e duhur dhe ta zgjidhin problemin e vijës kufitare.

“Unë i kam shkruar letër Samuel Zhbogarit dhe shteteve të Quint’it dhe kam kërkuar prej tyre që policia e Kosovës të lejohet të patrullojë në dy rrugët kyçe në brendi të Kosovës dhe të mos pengohet nga xhandarmëria serbe”.

Lenjani e ka përkujtuar Zhbogarin se misioni i NATO-së dhe i Bashkimit Evropian nuk ishte që Karaçeva të mbetet e izoluar dhe në pasiguri të plotë.

“Ne jetojmë para tytave të xhandarmërisë serbe dhe jetojmë e flemë në pasiguri totale dhe gjithnjë me frikën se do të ndodhë më e keqja” ka shkruar Lenjani në letrën e tij dërguar Zhbogarit.

Lenjani ka kërkuar edhe nga shtetet e Quint’it që të kyçen në bisedimet rreth vijës kufitare dhe të bëjnë presion tek Qeveria serbe që mos t`i gllabërojë dhunshëm 11 mijë metra katror territor të Kosovës. “As ju të nderuar ambasador e diplomat ndërkombëtar nuk do të kishit lejuar që shteti i juaj të trazohet e pengohet nga një shtet fqinjë. Keni parasysh se ne kemi fëmijë, gra, pleq e të moshuar që kanë frikë të qëndrojnë në zonat kufitare dhe të jetojnë të lirë e të punojnë tokat e tyre lirshëm” ka përkujtuar Lenjani./rajonipress/