Home MAGAZINA “Kam filluar të postoj cover-a për t’u rritur muzikalisht”

“Kam filluar të postoj cover-a për t’u rritur muzikalisht”

879
0
SHARE
  • Donika Nuhiu, këngëtarja e re 15-vjeçare nga Presheva, që iu bashkëngjitet talenteve të muzikës botërore si Justin Bieber etj. Fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare kërkon të promovojë veten nëpërmjet rrjeteve sociale

Nigela Liçi

Bashkëmoshatarët e saj e adhurojnë. Shumë ndjekës ka në faqen e saj sociale, numërohen rreth 30 mijë klikime vetëm për publikimin e saj të fundit. Është në moshë fare të re, por ka një zë të fuqishëm dhe arrin të sfidojë dhe këngëtarë të vlerësuar nga kritika dhe fitues të shumë çmimeve. Është Donika Nuhiu, e cila me paraqitjen e saj të fundit në coverin e këngëtares australiane Sia me “Chandeleir” (Llambadar) ka arritur sukses dhe pse kënga ka vetëm një javë që është publikuar. Është ndër të parat këngëtare shqiptare, që karrierën e ka filluar nëpërmjet publikimeve të coverave të ndryshëm, duke afruar shumë adhurues nga vendet shqip-folëse, diaspora shqiptare dhe audienca ndërkombëtare. Në një intervistë për “Shekullin” ajo tregon se, kjo është rruga më e duhur për t’u rritur profesionalisht. “Dua të lançoj muzikën time origjinale në treg, me stil të veçantë e të padëgjuar më përpara. Ëndrra ime më e madhe është të kem albumin tim të parë në dorë, dhe shpresoj që në të ardhmen të realizoj këtë dëshirë. Gjithsesi, plani kryesor është që të prodhoj muzikë të mirë, me kualitet dhe të vlerësuar” shprehet Donika Nuhia për “Shekullin”.

Në Youtube, ju keni publikuar cover- a të ndryshëm, dhe së fundmi është “Chandelier”, e Sias. Publikimi juaj numëron një numër të madh klikimesh rreth 30,000 shikues dhe mbi 600 pëlqime. Ka qenë debutimi i parë i juaji… Dhe më i suksesshmi? 

Jo. Debutimi im në Youtube ka qenë i para dy viteve, mirëpo suksesin më të madh e kam arritur me “Chandelier”, të këngëtares australiane Sia. Nuk kam pasur kurrë kaq shumë komente e mesazhe nga kaq shumë e shumë njerëz. Është ndjenjë e papërshkrueshme, prandaj jam shumë e lumtur. Kam debutuar në Youtube me “Lart mbi yje”, e pastaj me “Refuzoj” të Alban Skënderaj, të cilat së bashku numërojnë rreth 100,000 shikues. Pastaj mendova të ndjek këngët më të pëlqyera dhe t’u vë vulën time.

Rrjetet sociale janë një mundësi e mirë për karrierën e shumë këngëtarëve në botë, si Justin Bieber, Carly Rae Jepsen, Soulja Boy, Austin Mahone etj. Mendoni se media sociale është rruga e duhur për të arritur objektivat dhe suksesin? 

E gjithë industria muzikore sot bazohet në rrjetet sociale, dhe artistët që janë të aftë të arrijnë sukses në këto mediume, e kanë më të lehtë debutimin, ose suksesin në tregun muzikor, prandaj jam shumë optimiste.

Deri tani sa ndjekës keni? 

Kam rreth 500 ndjekës në Youtube, por numrat po ndryshojnë vazhdimisht. Kështu që, projekti i radhës i cili shpresoj të lançohet në fillim të gushtit, të ketë edhe më shumë sukses se Chandelier.

Jeni e përgatitur për suksesin, duke pasur parasysh se jeni në moshë fare të vogël? 

Siç e kam cekur edhe më herët, kam filluar të postoj cover-a fillimisht, që të rritem muzikalisht e të merrem vazhdimisht me muzikë. Nëse jam e sinqertë, atëherë mund të them lirisht, që po. Po e shijoj suksesin dhe po jetoj një pjesë të rëndësishme të ëndrrës time. Kështu do vazhdoj deri vitin tjetër, e pastaj të filloj dhe të punoj për këngët e para, që të vij e përgatitur në skenën muzikore shqiptare.

Në çfarë zhanër këndoni dhe cilat janë interesat e muzikës suaj? 

Dëshira ime më e madhe është të sjellë diçka ndryshe në tregun tonë. Jam vazhdimisht e frymëzuar nga këngëtare si Loreen, Lykke Li, Rihanna, Adele, Lana Del Rey, e shumë të tjerë, të cilët bëjnë muzikën që ata duan, jo se çfarë ata mendojnë se do jetë e suksesshme. Kjo do të jetë edhe ideja ime, të sjell diçka që më pëlqen mua, jo domosdoshmërish të shikoj muzikën më të shitur kohëve të fundit.

Donika Nuhiu lajmëron fansat se vitin e ardhshëm do të bëhet pjesë e skenës me muzikë cilësore të padëgjuar më parë në trevat shqipfolëse 

Megjithëse shumë e re në karrierë dhe në moshë duket se 15- vjeçarja Donika Nuhiu i ka shumë të qarta idetë për të ardhmen. Ajo na rrëfen se idhujt e saj nga muzika botërore dhe ajo shqiptare ku veçon kantautorin Alban Skënderaj. Duke marrë këto modele ajo premton se vitin e ardhshëm do të sjellë një këngë shumë ndryshe nga këto që kemi dëgjuar tani në skenën shqiptare.

Keni fituar çmimin e parë në festivalin e fëmijëve në Preshevë, për dy vite rresht dhe në festivalin mbarëkombëtar të fëmijëve në Shkup. Mendoni të konkurroni në Shqipëri në ndonjë kompeticion të radhës? 

Sigurisht. Kompeticionet në trevat tona, sidomos në Shqipëri, luajnë rol të rëndësishëm në karrierën e çdo artisti, për arsye se përveç mendimeve të publikut, merr edhe kritika të jurive, të cilat të ndihmojnë shumë. Edhe pse nuk kam ndonjë kompeticion të veçantë që dua të marr pjesë, mendoj se pas publikimit të këngëve të para, do jem pjesë e kompeticioneve kombëtare në Shqipëri.

A keni menduar të vini me një muzikë origjinale? 

Po, edhe atë shumë shpejt. Nuk jam adhuruese e shprehjes “Së shpejti, së shpejti”, prandaj atëherë kur të jem gati, do e postoj datën dhe do e publikoj këngën e parë. Idetë janë të shumta, por mendoj se kënga e parë debutuese do dalë në fillim të vitit 2015. E pastaj të vazhdoj ose me një kompeticion muzikor, ose ndonjë këngë/video të re.

Keni performuar dhe me artistë të njohur mbarë shqiptarë, kë do të veçonit? 

Gjatë kohës sime në Tiranë, pata rastin të takoj e të punoj me artistë të mëdhenj të skenës sonë. Do veçoja Alban Skënderaj, i cili më ka mbështetur gjithmonë, e të cilit iu bashkëngjita në koncertin e tij në Preshevë. Ishte me të vërtetë privilegj i madh dhe plotësova një dëshirë të madhe timen.

Planet tuaja për të ardhmen? 

Të lançoj muzikën time origjinale në treg, me stil të veçantë e të padëgjuar më përpara. Ëndrra ime më e madhe është të kem albumin tim të parë në dorë, dhe shpresoj që në të ardhmen të realizoj këtë dëshirë. Gjithsesi, plani kryesor është që të prodhoj muzikë të mirë, me kualitet dhe të vlerësuar.

Cili është idhulli juaj në muzikën botërore? 

Frymëzohem lehtë në muzikë, më pëlqen muzika Pop, soul, RnB. Këngëtaret me të cilat jam rritur janë Rihanna, Beyonce e Adele. Mendoj se stili im është shumë i influencuar nga stilet e këtyre këngëtareve.

 

E lindur dhe e rritur në Preshevë, Sërbi Donika Nuhiu ka filluar të këndojë që në moshën 9-vjeçare, duke marrë pjesë në disa festivale fëmijësh. Numëron dy çmime të para në festivalin e fëmijëve në Preshevë dhe një ndërkombëtar. I pëlqen muzika Pop, soul, RnB, ndërsa për këngëtaret me të cilat është rritur janë Rihanna, Beyonce e Adele, dhe mendon se stili i saj është shumë i influencuar nga stilet e këtyre këngëtareve.

Ju vazhdoni studimet për…? 

Jam në shkollë të mesme të përgjithshme, në Preshevë.

A u ka ndjekur familja në çdo hap të jetës?

Gjithmonë! Janë mbështetës në çdo hapë timin, qoftë i vogël apo i madh. Meqë jetoj shumë larg qyteteve të mëdha si Prishtina e Tirana, ndihma e tyre ka qenë gjithmonë e nevojshme.

Kush është personi që jeni e lidhur më shumë? 

Jam shumë e lidhur me vëllanë tim, Rinorin, sepse më ka ndihmuar shumë dhe e kam shokun e vetëm që unë i besoj. Ka qenë gjithmonë aty për mua, më ka ndihmuar në çdo rast, dhe këtë sukses që po shijoj sot, është falë tij. E dua shumë! /LuginaPress

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=sG5kpaTJm20″ width=”560″ height=”315″]

LEAVE A REPLY