Në një ceremoni të organizuar në objektin e IPK-së në Hajvali u shënua përvjetori i tetë i themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Me këtë rast morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve që ndërlidhen me fushën e sigurisë, gjyqësisë, prokurorisë, përfaqësues ICITAP-i Amerikan, si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani, potencoi se IPK do të vazhdojë të jetë një agjencion i përgatitur, profesional dhe objektiv:
“Rezultatet e IPK-së tanimë janë evidente edhe për qytetarët. Shpresoj se do të vazhdojmë bashkërisht të punojmë për profesionalizmin e IPK-së edhe më tutje”, theksoi ndër të tjera kryeshefi Shishani.
Si pjesë e aktiviteteve për këtë ditë të shënuar ishte edhe dhurimi vullnetar i gjakut, ku rreth 30 punonjës të IPK-së, në bashkëpunim me Transfuzionin e Gjakut, dhuruan gjak për fëmijët në nevojë. /Telegrafi/






