Partizani përgatitet për derbin e tretë dhe të fundit sezonal me Tironën, teksa ndeshjet e dy fazave të para kanë dhuruar fitoret minimale 1-0 për secilin ekip. Në të dyja këto ndeshje derbi, të kuqtë nuk kanë patur mundësinë të përfitonin nga shërbimet e mbrojtësit Labinot Ibrahimi, i cili për koeçidencë ka vuajtur skualifikimin për shkak kartonash. Megjithatë qendërmbrojtësi do të rikthehet për derbin e tretë, në të cilin kërkohet me ngulm fitorja.
Labinot Ibrahimi:“Ndihem i lumtur që do të luaj këtë derbi pasi kam munguar për shkak të kartonave. Mezi pres të shtunën dhe do jap maksimumin. I kam ndjekur nëpërmjet TV dy derbit e tjera. I pari shkoi shumë mirë ndërsa i dyti nuk ishte ashtu siç pritej. Shpresojmë të fitojmë të tretin. Ky derbi do të thotë shumë pasi dua ta shijoj ashtu si shikuesit.”
Në përfundim të derbit të fazës së dytë skuadra është kontestuar pas paraqitjes së dobët, duke u akuzuar për mos impenjim në ndeshjen më të rëndësishme të fazës. Megjithatë 27-vjeçari i mbrojtjes së Partizanit thekson se gjithçka në këto momente është ndryshe.
“Skuadra është e vetëdijshme, pasi në atë ndeshje ekipi nuk ka qënë në ditë të mirë, ndryshime ka pasi ka ndryshuar mesfusha. Kemi një grup të mirë lojtarësh, Nexhipi ka stabilizuar mesfushën, edhe trajneri është i mirë. Derbi i fazës së dytë ka qënë një ditë e keqe, ndërsa tani ka më shumë harmoni.”
Në javët e fundit Ibrahimi ka lënë vendin e tij natyral në qendër të mbrojtjes për tu spostuar në krah. Megjithatë ish-mbrojtësi i Prishtinës nuk dramatizon situatën duke deklaruar dhe objektivat e skuadrës.
“Më mirë të luaj në pozicionin time natyral në qendër, por e di trajneri se ku luaj. Tifozët kërkojnë: “Aman fitoni derbin”. Titulli është larg, Europa është synimi ynë.”






