Granit Zeka-Njeriu gjithmonë ka ditur t’i bëj ballë ndryshimeve të mëdha, t’i përshtatet atyre e t’i përvetësojë ato. Njëra ndër këto ndryshime të mëdha që e ka prekur në masë të madhe njerëzimin, padyshim është interneti. Që nga “shpikja” e internetit në vitet e 60-ta, e gjithashtu me avansimin e përgjithshëm të teknologjisë, interneti ka pasur një rritje enorme. Sot interneti është bazë e zhvillimit të çdo fushe. Sigurisht, një ndryshimi të tillë nuk i ka shpëtuar as gazetaria.
Secila nga epokat gazetareske, si ajo e radios dhe e televizionit, kanë patur përparësitë e veta, e natyrisht edhe mangësitë. Sot këto të dyja ende gjejnë mënyrën se si të mbesin në hap me kohën. Një term i ri, apo më saktë një lloj i ri i gazetarisë, është edhe gazetaria online.
Gazetaria online e njohur edhe si gazetaria digjitale, si lloj u përdor së pari në Britani të Madhe në vitin 1970 dhe u quajt “teletekst” (teletext). Teleteksti është sistem i cili lejon që shikuesi të zgjedhë se cilat ngjarje dëshiron t’i lexojë e t’i shikojë menjëherë. Informacioni që teleteksti jep është i shkurtër, momental dhe i ngjashëm me informacionin që shihet në gazetarinë e sotshme digjitale. Kjo sigurisht që ishte një avansim në gazetarinë në përgjithësi, ku më pas u shpik edhe videoteksti. Të gjitha këto komponentë quan në një zhvillim të hovshëm të gazetarisë online, tek lloji i gazetarisë që sot e gjejmë nëpër websajte të mediumeve të ndryshme, nëpër portale të pavarura si dhe nëpër blogje. Si teksti, ashtu edhe pamja qoftë ajo video apo thjeshtë fotografi, janë pjesë e këtyre fushave ku ky lloj i gazetarisë aplikohet. Përparësitë e këtij tipi të gazetarisë sigurisht që është shpejtësia e përcjelljes së lajmit.
Dikur, këtë përparësi e kishte radio, më pas këtë e mori televizioni kurse sot padyshim e ka gazetaria digjitale e cila është e aftë në kohë reale të përcjellë një informacion tek shikuesit.
Padyshim në këtë aspekt kontribut të madh mund të luajë edhe një qytetar I thjeshtë, I cili mund të luajë rrolin e gazetarit teksa has një ngjarje dhe mund të raportojë qoftë me foto, qoftë me video apo me një informacion të shkurtër të drejtuar portaleve apo blogjeve. Në mund të quhet kjo përparësi për informimin e qytetarëve, për gazetarët është mbase një “armik” i profesionit të tyre, pasi ngjarja mund t’i ikë pas raportimit të një qytetari.
Konsumimi i ngjarjes rrezikon edhe punën e gazetarit profesional, i cili duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve, e ka të vështirë t’i ndjek të gjitha ngjarjet. Por, kur lihen anash përparësitë e konsiderohen mangësitë, mbase këto të fundit janë më të mëdha. Sigurisht, informacioni mund të vijë shpejt, por sa është ky informacion normativ me rregullat e gazetarisë? – Lajmet që hasim kryesisht në portale e blogje, në shumicë të tyre nuk i takojnë aspak gazetarisë profesioniste. Mungesa e burimeve të besueshme, barazpeshimi i lajmeve dhe kredibiliteti sigurisht nuk mund të bëhen nga qytetari. Shpesh hasim në lajme të cilat merren nga këto portale ende pa u verifikuar, krijohet nje storie “fantazmë” sa për t’u lidhur me një foto apo video që një qytetarë i ka dërguar një portali.
Mediumet e ndryshme si në Kosovë apo rajon, qoftë edhe në botë, luftën më të madhe e bëjnë për shpejtësinë e informimit, por këto mediume përpos luftës për shpejtësi, duhet të luftojnë për kredibilitet, për besueshmëri e informim të drejtë e të saktë. E gjitha kjo ka quar në një fenomen e sidomos në Kosovë, në fenomenin e “klik-ut”. Portalet e tilla paraqesin lajme me përdorimin e efektit “senzacionalizëm” apo në përdorimin e titujve me “klishe” për të zgjuar interesin e shikuesit të klikojë atë lajm. Secilit nga ne, në të shumtën e rasteve ju ka ndodhur që pasi keni klikuar në atë lajm ju nuk keni lexuar asgjë informative, asgjë që ju jep një të dhënë e në fund të fundit edhe elementet e lajmit nuk bëjnë pjesë në të. Kjo as nuk mund të quhet lajm.
Ky fenomen I “klikut” po bëhet për grumbullimin sa më të madh të kilikimeve e të pageviews (shikimit të faqes). Janë paraqitur shumë statistika në portale të ndryshme se cili po vizitohet më shumë etj, por a është ky realisht niveli I gazetarisë në Kosovë? A mund të quhet kjo gazetari e mirëfilltë ? JO, kjo as nuk ka të bëjë me gazetarinë, kjo ka të bëjë totalisht me punë biznesi, me reklamim të vetvetes.
Duke qenë se njerëzit gjejnë pak kohë që të ulen përpara televizorit e të shikojnë ngjarjet e ditës, të informohen apo të dëgjojnë të rejat në radio, e të gjejnë minuta të lira për të lexuar gazetën, gazetaria digjitale duket e vetmja zgjidhje e kohës për tu informuar. Ky nivel i informimit dhe i gazetarisë në përgjithësi që na ofrohet nga këto portale (pa dashur të cek), e blogje të ndryshme nuk është e hajrit të ndiqet. Ska të bëjë asgjë me gazetari dhe as nuk duhet të ngatërrohet me të.
Nëse ju merrni dhe lexoni titujt në këto portale e blogje, ju mund të gjeni tituj të tillë si :”Çfarë i thotë Dardani të dashurës kur e refuzon në shtrat”; “Ledri Vula me mjekërr të gjatë”; “Çka thotë zonja Meri për…”; e shumë tituj të tillë, që normalisht duke qenë që jemi një popull që vazhdimisht jemi interesuar për politikë, përshkak të situatave të ndryshme në vend, jemi lodhur nga politika dhe tani duam diçka tjetër.
Duke ditur këtë, këto portale me tituj të lartcekur tentojnë të marrin pas vetes shfrytëzuesit e internetit për qëllime vetjake. Ky fenomen një ditë duhet të ndalojë që gazetarisë ti kthehet epiteti i vet që e ka patur tani e sa shekuj.
Nëse ju bëni kërkime në internet për punët që pas disa vitesh mund të zhduken, do të hasni edhe në profesionin e gazetarit e kjo pikërisht për zevendësimin e tij me një qytetar të thjeshte e gjithashtu për “shkatërrimin” e gazetarisë profesionale për çështje të lartcekura. Gjeneratat e ardhshme, të cilës i takoj dhe unë, janë ato që duhet të bëjnë luftën më të madhe për ndalimin e këtij fenomeni. Informacioni është fuqi, fuqia është pushtet dhe kur informacioni sillet në mënyrë të duhur nga gazetari, ju mund të keni edhe fuqinë edhe pushtetin.
Ne, gjeneratat e gazetarisë së ardhshme, duhet të risjellim në vendin e vet këtë profesion që i ka mbijetuar sfidave të ndryshme. Ne duhet të jemi burimi i informacionit, e jo produkt për zhvillim biznesi.






