Home OPIONIONE Fajdexhinjtë me licencë, kamatat 25%

Fajdexhinjtë me licencë, kamatat 25%

708
0
SHARE
Nga Lavdim Hamidi – Është shumë mirë që qytetarët nuk e kuptojnë sistemin tonë bankar dhe monetar. Sikur ta kuptonin, besoj se revolucioni do të ndodhte para mëngjesit të së nesërmes. Kështu kishte deklaruar në shekullin e kaluar industrialisti amerikan, Henry Ford, themeluesi i gjigantit “Ford Motor”.
Kjo thënie e një biznesmeni të njohur amerikan para një shekulli do të ishte ilustrimi më i mirë për sistemin bankar të Kosovës të vitit 2015.

Ky sistem, edhe 16 vjet pas përfundimit të luftës në vend, lejohet të vazhdojë të funksionojë me logjikën e fajdexhinjve, ku bizneset dhe ekonomitë familjare detyrohen të paguajnë kamata astronomike në kredi.

Fjala është për institucionet mikrofinanciare, të cilat mbikëqyren nga Banka Qendrore e Kosovës, por që aplikojnë kamata njëjtë si fajdexhinjtë dhe se dallimi i vetëm mes tyre është se mikrofinanciarët bëjnë biznes legal dhe nuk e kanë vrarë askënd për moskthim të borxhit.

Megjithatë, përveç se zhvillojnë biznes legal e jo në kundërshtim me ligjin, siç veprojnë fajdexhinjtë, asgjë nuk i arsyeton institucionet mikrofinanciare që në vitin 2015 të aplikojnë norma të interesit në kredi prej rreth 25 për qind.

Kjo gjë thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, ku bëhet vlerësimi i tremujorit të parë të këtij viti i ekonomisë së vendit.

Ky raport do të duhej të ishte alarmues për institucionet e Kosovës edhe sikur të bëhej fjalë për periudhën janar-mars të vitit 2000 e jo të vitit 2015, pasi që kamatat e tilla nuk justifikohen as pas përfundimit të luftës, e jo 7 vjet pas pavarësisë së vendit dhe kur po punohet drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Këto norma të larta të interesit do të mundë të justifikoheshin vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur risku i kreditimit është shumë i madh.

Mirëpo, për çfarë risku mund të flitet kur kreditë e këqija tek institucionet mikrofinanciare janë vetëm 5,2 për qind? Edhe më të ulëta se të bankave!

Nuk e kuptoj se si drejtuesit e institucioneve vendore, përkatësisht doktori i ekonomisë, Isa Mustafa, dhe ministrat e tij flasin për zhvillim të biznesit, kur këto të fundit po i paguajnë institucioneve mikrofinanciare kamata vjetore në kredi prej 23,2 për qind, përderisa kamatat për ekonomitë familjare arrijnë në 24,5 për qind.
E duke mos pasur alternativë tjetër financimi, gjithnjë sipas raportit të BQK-së, kreditimi për bizneset nga institucionet mikrofinanciare këtë vit është rritur për 8 për qind, në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar, përderisa kreditimi për sektorin e ndërtimtarisë është rritur për 14,3 për qind.

S’ka biznes që mund zhvillohet përpos që të përgatitet për falimentim, kur merr kredi me kamatë prej rreth 25 për qind, e lëre më në kushte të tilla të financimit të mendojë për pagesë të tatimeve dhe paga e kontribute të punëtorëve.

Për këto arsye edhe më pak biznese të reja janë hapur këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, e shumë më shumë se vjet kanë falimentuar.

Me këtë qasje ndaj bizneseve prodhuese, 120 mijë vende të reja pune s’do të mundë të krijohen as deri në vitin 2030, e lëre më për një mandat qeveritar, siç është premtuar nga kryeministri.

Të vetmet biznese që mund të mbijetojnë dhe të zhvillohen në këtë situatë janë ato që janë të lidhura me politikën, të cilat nuk kanë nevojë të hyjnë në kredi/fajde, pasi që e disponojnë cash-in e nevojshëm.

E ato që s’kanë burime vetanake të financimit duhet të përgatiten për falimentim, derisa e paguajnë koston e lartë të kredisë.