Nga – Besnik RAMA*
Situata e përgjithshme aktuale e diplomacisë shqiptare
Shërbimi diplomatik shqiptar, në disa shtete europiane dhe të botës, është jashtë funksionit fare. Mjafton të përmendet veç rasti i ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, që për shkak të një diplomacie të dobët dhe thuajse jashtë funksionit, Shqipëria nga viktimë dukej si “atentatore” e ndërprerjes së kësaj ndeshje për kualifikueset e Europianit 2016 në Francë. Reagimi i diplomacisë serbe ishte i mënjehershëm, ndërsa pala shqiptare me një mendjemadhësi të pashembullt rrinte pas ekranit duke u emocionuar me shpalosjen e flamurit shqiptar e duke u mjaftuar me çka u deklaronin serbët zyrave dhe përfaqësive europiane.
Diplomacia shqiptare në Europë dhe në Botë përfaqësohet nga militantë partiakë, të painformuarë, të paaftë dhe të padenjë për t’i shërbyer siç duhet Shqipërisë dhe interesave të saj në skenën ndërkombëtare.
Në mjaft raste kemi të bëjmë me persona, të cilët mbyllen nëpër ambasadat e Shqipërisë nëpër Europë, duke u shkëputur nga çdo kontakt me shqiptarët dhe duke mos iu ofruar shërbimet e duhura dhe të nevojshme. Hera-herës, me një arrogancë të pashembullt, ata bëhen turpi i Shqipërisë në mes të Europës, duke ofruar shfaqje skandaloze e të pakrahasueshme në sytë e publikut europian.
Një ndër shembujt e panumërt, por të fundit, është në Berlin (Gjermani), aty ku stafi aktual është jashtë çdo norme të një funksionimi normal. Ata janë aty veç për të pritur delegacionet shqiptare që vijnë në adresë të Qeverisë së Rep. së Shqipërisë. Kjo është e gjitha. Në krahun tjetër, raportet që dërgojnë në Tiranë janë thjesht rezultat i një pune të dobët, pa aspak profesionalizëm, duke vijuar gjendjen amatoreske të përfaqësimit të Shqipërisë. Rasti i fundit, ku ambasada e Shqipërisë në Berlin nuk ishte prezente me asnjë përfaqësues të saj në organizimet e rëndësishme për Ditën e Flamurit, Ditën e Madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, është tronditës, i pashoq dhe i rëndë.
Në këto evente të organizuara nga njerëz dhe figura patriotike shqiptare, me asnjë lidhje institucionale me Qeverinë Shqiptare, por të shtyrë nga ndjenjat e thella kombëtare, ishin prezent personalitete shqiptare si Margarita Xhepa, Tefta Radi, etj. Por përfaqësia diplomatike e shtetit amë, Shqipërisë, vihej në sy me mungesën e saj.
Propozimet personale
Edhe përgjatë qeverisjes së opozitës së në Rep. e Shqipërisë, unë kam bërë përpjekje për të hedhur disa ide, ndër të cilat më kryesorja ishte me mënyrën e organizimit në disa shtete europiane, veçanërisht në Gjermani, e cila ka një potencial ekonomik të fuqishëm dhe mund të zhvendosë vëmendjen e financimeve të saj drejt sektorëve të ndryshëm në Rep. e Shqipërisë. Pra, në Gjermani propozoj që për çdo land të ketë nga një konsull nderi, i cili duhet të ushtrojë punën e tij në koordinim të plotë me ambasadën e Shqipërisë, duke promovuar Shqipërinë dhe zhvendosur vëmendjen e investitorëve gjerman drejt shtetit shqiptar (deri më tash Shqipëria ka humbur mjaft investitorë dhe firma gjermane si shkak i një diplomacie të paaftë dhe të lodhur në të gjitha drejtimet e kuptimet e kësaj fjale; një diplomaci politike dhe në shërbim të disa interesave të ulëta të disa politikanëve shqiptarë. Këta investitorë kanë zgjedhur Maqedoninë dhe Serbinë përpara Shqipërisë).
Së dyti, duhet të çelen zyra për secilin nga Konsull nderi, duke vënë në shërbim të tyre infrastrukturen e duhur për të zhvilluar punën e tyre diplomatike. Punë nga e cila do të varet thithja e investitorëve të huaj, njohjen e kulturës dhe traditave të shqiptarëce të Shqipërisë dhe Kosovës në arenën europiane.
Së treti, unë propozoj që diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës të jetë e pandarë, në koordinim të plotë dhe në një bashkërëndim të projekteve dhe inisiativave. Shqiptarët, pa dallim nga vijnë, përfaqësojnë dhe përfaqësohen në shoqata të ndryshme, duke mbajtur gjallë kulturën, gjuhën dhe lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Roli i këtyre shoqatave kulturore është tejet i rëndësishëm, por këto shoqata duhet të kenë mbështetjen e plotë të diplomacisë shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku, një e të pandarë.
*(Autori eshte botues & kryeredaktor i NA dhe gazetare i Federates se Gazetareve te Bashkimit Europian)






