Qytetarët nëpër komuna me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë ta shfrytëzojnë valutën serbe dinarin për këmbime në mallra dhe shërbime të ndryshme. Kjo dukuri është e ndaluar me ligjet dhe rregulloret e Kosovës, për faktin se vendi ynë, valutë zyrtare ka euron.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), Bedri Hamza, ka pranuar për “Kosovapress” se në zonat e banuara me serbë përdoret valuta serbe.
“Në Kosovë valutë zyrtare për momentin në mënyrë të një anshme ka adaptuar euron, për të gjitha transaksionet i referohemi valutës euro… ka qarkullim me valuta edhe të vendeve të regjionit, sidomos në pjesët, ku jetojnë minoritetet në Kosovë, në pjesën veriore të Mitrovicës, Graçanicë dhe vende të tjera. Mund të jetë në qarkullim dhe prezent edhe dinari serb. Nuk ka dokument diku ku shkruan se thotë se ndalohet qarkullimi i një valute në Kosovë. Po flasim gjithmonë për pjesën zyrtare. Për pjesë të tjera ne nuk kemi informacion dhe nuk i dimë… Ata i kryejnë transaksionet mes klientëve, sigurisht që kryhen në pjesën veriore, kryhen edhe në enklava të caktuara”, ka deklaruar Hamza.
Siç raporton “Kosovapress”, BQK-ja, ka licencuar një bankë të Republikës së Serbisë, e cila funksionon me dinarë. “I marrim dinarë e blejmë me dinarë. Dinarin e marrim nga Serbia. Pagën e marrë nga Serbia”, ka deklaruar një qytetar i minoritetit serb nga Graçanica.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kapitulli I, neni 11 i saj thotë: “Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”. Po ashtu në çdo dokument apo raport precizohet qartë që valuta e vetme në Kosovë është euro.
Edhe në uebfaqen zyrtare të BQK-së, është e qartësuar se cilat monedha mund të përdoren dhe si e vetme mbetet euro. “Kosovapress” ka vizituar qytetin e Graçanicës dhe atje shkëmbimet tregtare bëhen kryesisht përmes dinarit, madje kjo për banorët është shumë normale. Ata tregojnë që pagat nga Serbia i marrin përmes Bankës “Komercialna Banka”, e cila ka licencë nga BQK-ja.






