Home Aktuale BE-ja s’jep të drejtë për punë sezonale për kosovarët

BE-ja s’jep të drejtë për punë sezonale për kosovarët

736
0
SHARE

As sivjet nuk pritet të ketë punësim sezonal jashtë Kosovës. Autoritetet vendore vazhdojnë komunikimin me qendra të ndryshme të punësimit në shtetet evropiane, por thonë se tregjet evropiane të punës për kosovarët janë të mbyllura, për shkak se Kosova nuk është anëtare e BE-së, e njëkohësisht nuk ka marrëveshje për bashkëpunim ndërshtetëror për nxitjen e punësimit.

Në mungesë të punësimit të qëndrueshëm, punëkërkuesit kosovarë janë të interesuar edhe për punësim të përkohshëm, qoftë brenda apo jashtë vendit. Por, mundësitë për punësim sezonal jashtë Kosovës janë të kufizuara, thonë zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Udhëheqësi i Divizionit të punës dhe punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hafiz Leka, thotë për RK se aktualisht nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për nxitje të punësimit jashtë vendit, pavarësisht përpjekjeve dhe kontakteve me zyrtarë të shumtë të shteteve evropiane.

“Tash për tash nuk ka dhe nuk besoj që do të ketë për shkak se Kosova nuk është anëtare e BE-së. Pasi nuk është anëtare e BE-së, Kosova nuk mund të jetë as nënshkruese e marrëveshjeve për nxitjen e punësimit me ndonjë shtet të BE-së apo të Zonës së Shengenit”, thotë Leka.

Sindikalistët mbështesin çdo angazhim të autoriteteve për të zvogëluar papunësinë. Por kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, shprehet i pakënaqur me përpjekjet e deritashme të ministrisë së punës për të shfrytëzuar çdo mundësi për nxitjen e punësimit edhe jashtë vendit.

“Ne kemi diskutuar me ta disa herë, megjithatë ne kemi deklaruar se ata kanë mundur të bëjnë shumë më shumë në këtë drejtim dhe kërkojmë sërish nga ata që të bëjnë më shumë rreth punësimit sezonal se do ta lehtësonin gjendjen e papunësisë e cila është në Kosovë”, thotë ai.

Në Kosovë ende nuk ka strategji të mirëfilltë të punësimit, kurse sektori privat nuk mund të ofrojë punë për një numër të madh të punëkërkuesve që çdo vit i bashkohen tregut të punës, thonë afaristët.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se edhe punësimi sezonal duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, e jo individuale si deri më tani, shkruan koha.

“Pa një strategji se si do të organizohet punësimi sezonal jashtë shtetit dhe garancitë që mund t’i japë shteti për ta për t’u kthyer në Kosovë, kjo është e vështirë që në mënyrë të organizuar apo në forma të tjera të gjejnë punë jashtë shtetit”, thotë ai.

Ministria e Punës deri tash ka zbatuar programe për punësimin e studentëve në Gjermani e Zvicër, kurse këtë vit presin një ekspert gjerman, i cili do të mbështeste Qendrën Kosovare për Shërbim të Migracionit, në mënyrë që programi të zgjerohet edhe në shtete tjera.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, për çdo vit, tregut të punës i shtohen nga 25 mijë punëkërkues, kurse më shumë se 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.